Challandes i kundërpërgjigjet Berishës: Nuk lexoj rrjete sociale, por nuk është profesionale të marrësh dy kartonë brenda 8 minutave

Challandes i kundërpërgjigjet Berishës: Nuk lexoj rrjete sociale, por nuk është profesionale të marrësh dy kartonë brenda 8 minutave

Sport May 28, 2021 - 12:34
Lajmet e fundit nga sporti

Bernard Challandes sot është paraqitur në konferencë për shtyp, ku ka folur edhe për Bernard Berishën, i cili nuk është ftuar pë ndeshjet miqësore të qershorit, shkruan Zeri.info.

Të enjten mbrëma, Bernard Berisha përmes një postimi në “Facebook” bëri të ditur se nuk është ftuar për miqësoret e muajit të ardhshëm.

Futbollisti nga Peja gjithashtu shkroi se nuk është kontaktuar askush, duke marrë parasysh sezonin e mirë që kaloi me Akhmat Groznyn në Rusi. Ai këtë e quajti si joprofesionale.

Këtij reagimi të Berishës, i është kundërpërgjigjur sot Challandes, i cili u shpreh:

“Nuk lexoj rrjete sociale. Nuk shikoj reagimet e lojtarëve. Qëllimi im ka qenë ka qenë të zgjedh nga dy lojtarë për pozitë. Në pozitat e sulmuesve të krahut kam zgjedhur Arbër Zenelin dhe Zymer Bytyqin për anën e majtë, kurse Milot Rashicën dhe Lirim Kastratin për të djathtin” – tha fillimisht përzgjedhësi i “Dardanëve”.

Tutje, Challandes tha: “Nëse flasim për profesionalizëm siç është thënë në atë reagim, a është normale që të merren dy kartonë të verdhë për 8 minuta siç ka ndodhur kundër Suedisë”.

Kujtojmë se Kosova më 1 qershor zhvillon miqësoren ndaj San Marinos në “Fadil Vokrri”, kurse më 4 qershor zhvillon miqësoren tjetër ndaj Maltës në Klagenfurt të Austrisë. /Zeri.info