Përballja në mes Fushë Kosovës dhe Vjosës do të përsëritet

Përballja në mes Fushë Kosovës dhe Vjosës do të përsëritet

Sport April 21, 2021 - 17:52
Lajmet e fundit nga sporti

Vendimi i fundit i FFK-së është që ndeshja mes Fushë Kosovës dhe Vjosës së Shtimes, që i takon Ligës së Dytë të Kosovës në futboll — të përsëritet!

Në përballjen ku gjyqtari i ndeshjes Petrit Fazliu u çua në Disiplinore për shkelje esenciale të rregullave të lojës — që çuan në ndërprerje të ndeshjes — Komisioni i Garave i FFK-së ka vendosur që ky duel të përsëritet dhe atë më 25 prill 2021 (të dielën), derisa organizimin e ndeshjes e merr përsëripër Komisioni i Garave!

Klubi i Vjosës ka reaguar në këtë vendim dhe ka bërë të ditur se do të ankohen ndaj këtij vendimi:

“Komisioni i Garave të FFK-së vendos që të përsëritet ndeshja ndërmjet KF Fushë Kosova dhe KF Vjosa. Ne si klub padyshim që do t’i përfillim këshillat juridike, duke ushtruar të drejtën e ankesës”.

Ndërsa KG-ja në arsyetimin e dhënë ka thënë se asnjëra skuadër nuk është nxitëse e ekscesit në ndeshje, pasi që gjyqtari kryesor i ndeshjes ka bërë shkelje të rregullave esenciale të lojës.

“Me aktet normative të FFK-së parashihet rifillimi i lojës. Andaj edhe referi është vlerësuar me notë të dobët nga delegati i ndeshjes. KG vendimin e mbështet në Nenin 58 të Rregullores Disiplinore,” - shkruan në arsyetim, ndërsa ndër të tjera në vendimin e lëshuar bën të ditur se “në rast të mosparaqitjes së skuadrave në ndeshjen e organizuar nga organi kompetent dhe vendin e caktuar, pasojat do t’i bartin vetë klubet.”

Dueli Fushë Kosova - Vjosa ishte ndërprerë për shkak të përleshjes mes palëve. Kjo kishte ardhur pasi që Fushë Kosova kishte shënuar penalltinë për 1-0. Festa e vendasve kishte zgjatur, ndërsa referi kishte dhënë sinjal për të filluar ndeshja nga mesi i fushës. Mysafirët barazuan derisa vendasit ishin duke festuar. Pas kësaj vjen deri te anulimi i golit nga referi pas presioneve nga vendasit, me ç‘rast plas gjithçka.