Boshnjaku e kërkon trofeun e Superkupës në Turqi, thotë se Prishtina po përgatitet maksimalisht për kampionat

Boshnjaku e kërkon trofeun e Superkupës në Turqi, thotë se Prishtina po përgatitet maksimalisht për kampionat

Sport January 22, 2021 - 14:36
Detajet

Kapiteni i FC Prishtinës, Lorik Boshnjaku, ka thënë se skuadra kryeqytetase është gati për ndeshjen e Superkupës së Kosovës ndaj Dritës, takim që luhet të shtunën më 23 janar në Antalia të Turqisë, shkruan Zeri.info.

Mesfushori prishtinas thotë se Prishtina do të “luftojë” për ta fituar takimin që luhet duke filluar nga ora 11:50, në stadiumin “Mardan” të qytetit bregdetar turk të Antalias.

“Me Dritën i kemi tri ndeshje për një kohë të shkurtër. Ndeshjen në Superkupë synojmë ta fitojmë edhe pse e dimë se e kemi zhvilluar vetëm një ndeshje miqësore dhe forma jonë nuk është ajo që pritet. Jemi duke u munduar që ta arrijmë formën më të mirë. E dimë se do të jetë ndeshje e vështirë pasi edhe Drita ka kualitet, por është mirë që po luhet ndeshja në Turqi pasi që na shërben për t’u përgatitur sa më mirë për kampionat”, ka thënë Lorik Boshnjaku për “prishtinafc.com”, përcjell Zeri.info.

Image

Loriku i komentoi edhe përgatitjet e Prishtinës në Turqi.

“Sot është dita e katërt e përgatitjeve. Kemi bërë përgatitje me intensitet të lart dhe në këtë mënyrë do të vazhdojmë edhe në ditët në vijim për ndeshjet që i kemi në Kosovë, në kampionat. Pikë së pari shpresoj se nuk do të kemi ndonjë lëndim pasi që na nevojiten të gjithë lojtarët. Shpresoj shumë se do të na bashkëngjiten edhe Makenda dhe John dhe të jemi të përgatitur sa më mirë”, theksoi Boshnjaku.

Prishtina edhe në këtë edicion e synon titullin kampion, si dhe Kupën e Kosovës.

Prishtinasit e kanë përfunduar stinorin vjeshtor në pozitën e tretë më nëntë pikë më pak se lideri Drita dhe gjashtë më pak se Ballkani, që renditet i dyti. /Zeri.info