Infektuar: 67906
Shëruar: 59174
Vdekur: 1587
Nga Tërrnova e Skenderajt, në Përfaqësuesen e Kosovës dhe në Ligën e Kampionëve

Nga Tërrnova e Skenderajt, në Përfaqësuesen e Kosovës dhe në Ligën e Kampionëve

Sport January 20, 2021 - 11:41
Detajet

Shkruan: Astrit Dervishaj

Çdo gjë mund të arrihet nëse dëshira është e madhe. Asgjë s’është e pamundur kur njeriu ka vullnet dhe dashuri për diçka. Historia në vazhdim është dëshmi e gjallë se kur dikush ka një ëndërr dhe punon vërtet për të, mund ta bëjë atë realitet.

Qëndresa Tahir Bajra u lind më 11.05.1992, në fshatin Tërrnovë të Skenderajt.

Image

Si çdo fëmijë, ajo u rrit me ëndrrën për t’u bërë një ditë futbolliste dhe vendosi ta ndiqte këtë ëndërr.

Në vitin 2009 filloi ta realizonte ëndrrën e saj me përkrahje vetëm nga familja e saj, e paragjykuar nga rrethi, për shkak se futbolli konsiderohej sport vetëm për meshkuj.

Qëndresa me vullnet të hekurt dhe sakrificë të madhe e ndoqi ëndrrën e saj dhe i theu barrierat shoqërore. As largësia për të shkuar në stërvitje, mungesa e përkrahjes nga rrethi dhe paragjykimet nuk e ndaluan Qëndresën, por vetëm sa e forcuan për të arritur aty ku është sot.

nga fshati Tërrnovë i Skenderajt arriti suksese që vetëm ajo besonte se ajo do t’i arrinte. Qëndresa karrierën e filloi në ekipin e femrave Trepça ’89 në vitin 2009, nga viti 2016 deri në vitin 2018 ishte pjesë e Hajvalisë, ku fitoi dy tituj kampioni dhe që nga viti 2018 është në klubin KFF Mitrovica, skuadër me të cilën ka fituar tre tituj kampioni të Kosovës dhe shumë trofe të tjerë.

Image

Përveç suksesit në nivel vendor, me lojën dhe thjeshtësinë e madhe që e karakterizon Qëndresa ka arritur të jetë edhe anëtare rregullt e Përfaqësueses së Kosovës në konkurrencën e femrave, po ashtu ajo ka 13 ndeshje në garën më prestigjioze evropiane Liga e Kampionëve për Femra, ku në nëntë ndeshje ka luajtur në gjithë ndeshjen, ndërsa i ka edhe katër ndeshje si rezerviste.

Image

Qëndresa po ashtu ka marrë pjesë edhe në kualifikimet për Kupën e Botës, ku është aktivizuar në tri ndeshje.

Në vitin 2015 Qëndresa ishte zgjedhur edhe “Sportistja e Vitit” nga Komuna e Mitrovicës.

Image

Qëndresa është tifoze e superyllit portugez Cristiano Ronaldo, sepse rrugëtimi i tyre në futboll ngjason shumë, një rrugëtim me plot sakrifica, mund, punë dhe vullnet të hekurt.

Për fund po e përmendim thënien e futbollistes amerikane Ashlyn Harris: “Nuk ka ndjenjë më të mirë sesa të dalësh në fushë dhe t’i shtangesh të gjithë, duke e bërë atë që askush nuk mendonte se mund ta bëje”. /Zeri.info