Infektuar: 55851
Shëruar: 49269
Vdekur: 1410
Reagon Remzi Ejupi: FFK-ja më dënoi natën, gjë që më së miri e tregon organizimin e tyre të mbrapshtë

Reagon Remzi Ejupi: FFK-ja më dënoi natën, gjë që më së miri e tregon organizimin e tyre të mbrapshtë

Sport January 14, 2021 - 14:47
Lajmet e fundit nga sporti

Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Komisionit Disiplinor të FFK-së, që mbrëmë i shqiptoj dënimin prej 1 vit moskryerje të asnjë funksioni, shkruan “Zeri.info”

Ejupi ditë më parë përmes mediave kishte kritikuar punën e Federatës së Futbollit të Kosovës për menaxhimin e keq si në këtë institucion ashtu edhe në Përfaqësuesese, gjë e cila nuk i kishte pëlqyer FFK-së dhe vendosi të marrë masa bukur të ashpra.

Për Ejupin që njihet si investitori më i vjetër në futbollin kosovar ky është dënimi i parë në karrierën e tij, andaj ishte vërtetë për të ardhur keq pse në kohë kur klubet dhe presidentët kanë më së shumti nevojë për ndihmë për shkak të pandemisë COVID-19, FFK merr masa ndaj tyre.

Reagimi i plotë i Remzi Ejupit

Të nderuar sportdashës,

Siç jeni njoftuar tashmë, mbrëmë – natën - Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e shqiptoi një dënim ndaj meje me një vit moskryerje të funksionit të presidentit të FC Prishtinës. Këtë FFK’ja e bëri natën, gjë që më së miri e tregon organizimin e tyre të mbrapshtë.

Sido që të jetë, ky dënim nuk i shqiptohet vetëm një delegati të FFK’së, por është tentim për ta goditur mendimin ndryshe dhe fjalën e lirë nga ana e disa individëve të cilët e kanë kapur dhe po e mbajnë në grusht të shtrënguar FFK-në dhe futbollin e Kosovës.

Siç e dini, prej anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA në FFK janë mbi 40 milionë euro të hyra. Kur unë se delegat i FFK’së, apo edhe delegatë të tjerë, nuk e dimë asnjëherë se ku janë apo ku kanë shkuar ato miliona euro, aq më pak e di opinioni i gjerë. Andaj, kam kërkuar sqarim për këtë dhe e kam propozuar një auditim të pavarur dhe të besueshëm në FFK dhe se e kam shprehur qëndrimin tim se nuk u besoj raporteve financiare që përpilohen sipas dëshirës së krerëve të FFK’së, të cilat ndoshta përpilohen po ashtu natën.

Si delegat i FFK’së, asnjëherë nuk e kam pasur të qartë se ku kanë përfunduar paratë e biletave të gjithë atyre ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës!

Është detyrë e jona si delegatë të federatës të kërkojmë llogari nga ata që e udhëheqin FFK’në dhe Kombëtaren e Kosovës edhe për rezultatet e skuadrës shtetërore, sepse ajo është ndër të rrallat që e bën çdo qytetar të Kosovës të lumtur me vendin e vet, ku dihet se në segmente tjera Kosova jon nuk është që i ka punët mirë.

Është krejt e natyrshme që një delegat të kërkojë sqarime nga kryesia aktuale e FFK’së ta thotë të vërteten e mungesës së shumë futbollistëve në ndeshjet vendimtare të Kosovës, me ç’rast, duke e humbur shansin ideal të kualifikimit në Kampionatin Evropian Kosova e humbi mundësinë e përfitimit të 15 milionë eurove, me të cilat futbolli ynë do të kalonte automatikisht në një nivel tjetër.

Është krejt normale që delegatët – të cilët që nga pas lufta kanë investuar mbi 100 milionë euro në futbollin e Kosovës – të kërkojnë llogari dhe sqarime për pagat dhe shpenzimet që bëhen në FFK, nga punësimet pa konkurse në FFK, për mënyrën se si ndahen paratë e destinuara nga UEFA për klubet në krizë që mezi mbijetojnë dhe për mënyrën se si FFK i ndan ato në përpjekje për t’i stopuar te delegatët apo klubet tjera pyetje të ngjashme si këto të mijat.

Këtij qëllimi bukur shumë ia ka arritur. Këto pyetje planifikoja t’i bëja në Kuvendin e ardhshëm, i cili është dashtë të mbahej qysh moti. Por që ata që e kanë kapur FFK’në vazhdojnë të marrin kohë dhe njëkohësisht të punojnë në terren për të stopuar pyetje si këto.

Mua ma pamundësuan pjesëmarrjen në Kuvend dhe parashtrimin e këtyre pyetjeve duke më dënuar në këtë formë. Dënimi ndaj fjalës së lirë dhe mendimit ndryshe ishte opsioni i vetëm i tyre për të më pamundësuar që këto pyetje t’i bëj aty ku është vendi – në Kuvend.

Ky është realiteti! Ky është futbolli i Kosovës i njollosur dhe i ngulfatur vetëm nga një grup i vogël njerëzisht! /Zeri.info