Po rikthehet Peja “e vjetër” në basketbollin kosovar

Po rikthehet Peja “e vjetër” në basketbollin kosovar

Sport December 03, 2020 - 09:30
Lajmet e fundit nga sporti

Skuadra e Pejës duket se po kthehet në majat që ka qenë dikur. 

E udhëhequr nga Dardan Berisha, Peja nuk ka rival në këtë start të kampionatit, shkruan “Zeri.info”.

Pejanët kanë shënuar mbrëmë fitoren e katërt radhazi në Prince Caffe Superligë, duke mundur Bashkimin me shifrat 76:59. Ditë më parë Peja riktheu në krye të ekipit kryetarin e mirënjohur Fatmir Gashi dhe ky është një sinjal i mirë për këtë skuadër.

Sa i përket ndeshjes me Bashkimin, çereku i parë i sfidës ishte i baraspeshuar, derisa pejanët e përmbyllën me dy pikë epërsi 21:19. Por, verdhezinjtë ngritën epërsinë në periudhën e dytë, duke treguar lojë më të mirë në parket për të fituar këtë pjesë 20:14, dhe shkuan në pushim me rezultat 41:33.

Përkundër tentimeve nga mysafirët, Peja fitoi edhe periodën e tretë, 22:18, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 63:51. 10 minutat e fundit ishin vetëm formalitet (13:8) dhe Peja triumfoi në fund me shifrat 76:59.

Dardan Berisha ishte më i dalluari te Peja me 26 pikë, tetë kërcime e shtatë asistime, kurse te Bashkimi më i miri ishte Musab Mala me 20 pikë, 10 kërcime e katër asistime. Peja ka katër fitore në katër ndeshje, ndërsa Bashkimi një fitore dhe katër humbje. /Zeri.info