Gjyqtarët kosovarë me profesione të ndryshme; arsimtarë, pronarë lokalesh e studentë, disa nga ta punonin edhe si shoferë e punëtorë në bastore

Gjyqtarët kosovarë me profesione të ndryshme; arsimtarë, pronarë lokalesh e studentë, disa nga ta punonin edhe si shoferë e punëtorë në bastore

Sport December 02, 2020 - 17:45
Detajet
Image

Dikush shofer, dikush arsimtar, dikush student, dikush merret me gastronomi e dikush tjetër punon në minierë.

Sikurse në të gjithë botën, edhe në Kosovë gjyqtarët e futbollit merren me profesione të ndryshme dhe shumë të veçanta.

“Zeri.info” jua zbulon profesionet e dyta të disa prej gjyqtarëve më të njohur në Kosovë.

Pesë herë gjyqtari më i mirë në Kosovë i shpallur nga FFK-ja, Genc Nuza, është pjesë e logjistikës në MKRS, derisa më herët ka punuar si shofer në të njëjtën Ministri.

Njëri nga “bilbilat” më në formë aktualisht, Mervan Bejtullahu, më herët ka punuar në lotarinë e Kosovës.

“Kam punuar në lotarinë e Kosovës, por kur ato janë ndalur me ligj, sot merrem vetëm me referim”, thotë Bejtullahu për “Zeri.info”.

Gjyqtari tjetër nga Gjilani, Shpëtim Murtezi, është student, derisa për “Zeri.info” thotë se e ka në plan që së shpejti ta hapë edhe një kafene.

Besfort Kasumi merret me gastronomi teksa e menaxhon një restorant në Prishtinë.

Ndryshe, gjyqtari nga Peja Gramoz Shala punon në arsim.

Një tjetër emër i njohur në fanellën e gjyqtarëve është Selim Isufi, i cili punon në kompaninë “Trepça”.

Për dallim nga këta, ka të atillë që gëzojnë vetëm pagën e gjyqtarit.

Gjyqtari i ri, Mentor Ajeti, punon në Lidhjen Rajonale të Futbollit të Prishtinës si administrator dhe gjithashtu është student.

Kolegu i tij i ri në Superligën e Kosovës, Lirim Jashari momentalisht i është përkushtuar vetëm referimit. Dardan Çaka sikur i është përkushtuar vetëm profesionit të gjyqtarit dhe momentalisht nuk bën asnjë punë tjetër, ashtu edhe Fatmir Tahiri.

Edhe Tefik Maloku momentalisht po merret vetëm me ndarjen e drejtësisë. Ai më herët ka punuar në bastore, të cilat tashmë janë ndalur me ligj.

Të kujtojmë se gjyqtari kryesor në Kosovë për një ndeshje paguhet me 200 euro, ndërsa asistentët paguhen me 150 euro.

Hasani: Me rregullore nuk ka asnjë problem

Kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani, ka thënë se asnjë problem me rregullore nuk ka nëse një gjyqtar bën edhe një punë të dytë.

Sipas tij, e rëndësishme është që gjyqtarët të jenë mirë fizikisht dhe t’i kalojnë testet e vendosura para fillimit të kampionatit.

“Për mua është me rendësi që gjyqtari të jetë i përgatitur mirë fizikisht dhe t’i kryejë testet me shumë sukses. Unë jam i kënaqur me punën e tyre që kanë bërë nëpër teste. Nuk ka asnjë telashe nëse kryejnë punë të tjera. Për ne me rendësi është që ai të jetë i përgatitur mirë dhe i përpiktë në punën e referimit. Jashtë këtij orari nuk ka asnjë problem të bëj punë tjetër”, ka deklaruar për “Zeri.info” Përparim Hasani.

Nuza: Referimi pasion, puna për ekzistencë

Gjyqtari më i mirë i viteve të fundit në Kosovë i shpallur nga FFK-ja, Genc Nuza, i cili me shumë sukses e ka ndarë drejtësinë edhe në shumë ndeshje ndërkombëtare, deklaron se nuk është e lehtë që të kryhen dy punë.

“Unë referimin e kam pasion. Normalisht që është pak më e vështirë të bësh edhe punën e gjyqtarit të futbollit, edhe të kesh një punë, por edhe referët elitarë në Evropë bëjnë punë të tjera, kështu që në fund nuk është ndonjë problem”, ka thënë Nuza për “Zeri.info”, duke folur nëse ka telashe me orarin te puna në MKRS.

“Unë e kam përkrahjen e plotë të kolegëve të mi në MKRS sa i përket referimit dhe për këtë dua t’i falënderoj”, theksoi gjyqtari më i mirë në Kosovë, Genc Nuza.

Kasumi: Në Kosovë është e pamundur të jetosh vetëm me referim

Gjyqtari i njohur kosovar Besfort Kasumi, përveç referimit, ka një profesion tjetër, atë të gastronomit.

“Realisht referimi është profesion i cili kërkon shumë përkushtim dhe shumë punë. Në shumë vende të botës gjyqtarët i cilësojnë si profesionistë ose gjysmëprofesionistë, pra merren vetëm me referim. Këtu te ne në Kosovë është e pamundur të jetosh vetëm me referim, sepse pagesat janë me mëditje”, ka thënë Kasumi.

“Është e vështirë të bësh dy punë, sepse në referimin e sotëm kërkohet shumë punë e angazhim për ta pasur formën e duhur fizike. Gjithashtu, edhe orari i ndeshjeve ndonjëherë bie ndesh me kohën dhe punën tonë primare”, ka thënë Kasumi, të cilit shpesh i bie ta vizitojnë edhe futbollistë dhe drejtues të klubeve.

“Tek unë vijnë njerëz sikurse në lokale të tjera, pra nga të gjithë lëmenjtë. Normalisht se shërbimin është i njëjtë si për një ministër, ashtu si për punëtor të thjeshtë”, ka përfunduar Besfort Kasumi. /Zeri.info