Policia e Rajonit të Gjilanit e sqaron rrahjen pas ndeshjes Vitia - 2 Korriku, konfirmon  arrestimet

Policia e Rajonit të Gjilanit e sqaron rrahjen pas ndeshjes Vitia - 2 Korriku, konfirmon arrestimet

Sport November 29, 2020 - 17:46
Detajet

Dhuna në futbollin kosovar assesi të ndalet. Në ndeshjen e Ligës së Parë, Vitia - 2 Korriku ka shpërthyer "dajaku".

Pas ndeshjes është rrahur keq gjyqtari Fatmir Tahiri nga ana e kryesisë së Vitisë dhe shtabi teknik i këtij ekipi.

Pas takimit është arrestuar nga Policia e Kosovës, trajneri i Vitisë, Milaim Zuzaku.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka zhvilluar një bisedë me “Zeri.info”, teksa ka dhënë disa detaje për ngjarjen e sotme.

Deri tani janë ndalë vetëm dy persona të cilët janë duke u intervistuar në stacionin policor në Viti. Incidenti ka ndodhur në mbarim të ndeshjes. Të pakënaqur me gjasë me referimin, disa persona janë përfshirë në incident. Tani nuk e dimë ende saktë se a do të ndalen ata ose jo, pasi në këtë fazë janë duke u intervistuar. Edhe sigurisht më vonë do të jetë një raport gjithëpërfshirës”, ka thënë Hashani për “Zeri.info”.

"Zeri.info" e ka kontaktuar edhe gjyqtarin Tahiri në lidhje me këtë rast, derisa ai thotë se përveç tij, janë sulmuar edhe gjyqtarët tjerë të kësaj ndeshje.

Ndryshe, 2 Korriku e fitoi këtë ndeshje me rezultat 1:2. Kjo ndeshje i takoi xhiros së 13-të në Ligën e Parë.

2 Korriku me këtë fitore ndodhet në pozitën e shtatë me 17 pikë kurse Vitia ndodhet e treta me 20 sosh. /Zeri.info