Jeta në Kosovë, problemet e Feronikelit, largimet e ndihmës-trajnerëve, suspendimet e futbollistëve dhe vazhdimësia, rrëfehet Klodian Duro

Jeta në Kosovë, problemet e Feronikelit, largimet e ndihmës-trajnerëve, suspendimet e futbollistëve dhe vazhdimësia, rrëfehet Klodian Duro

Sport November 27, 2020 - 17:08
Detajet

Kampioni i Kosovës për edicionin 2018/19, skuadra e Feronikelit edhe këtë edicion e nisi me synim për të pasuruar “kabinetin” me trofe. Në fillim të kampionatit, Feronikeli mori një fitore të madhe ndaj Gjilanit me rezultat 4:0, duke lënë të nënkuptohet se “Industrialistët” do të jenë të frikshëm në këtë edicion, por me kalim e kohës gjërat ndryshuan.

Klubi nga Drenasi kishte hyrë në ecuri negative të rezultateve me ç’rast trajneri Afrim Toverlani u largua. Në krye të shtabit teknik erdhi trajneri i mirënjohur nga Shqipëria, Klodian Duro.

Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare në një intervistë të gjatë me “Zeri.info”, ka folur nga momenti i ardhjes te klubi, e deri te problemet, të cilat janë shfaqur javëve të fundit.

Çka ju shtyri t’i bashkoheni Feronikelit?

Duro: Siç e kam thënë edhe përpara, kam marrë një telefonat nga presidenti Naser Ramaj dhe normalisht nuk kam mundur ta refuzoja ofertën e tij, kështu që kam ardhur me kënaqësi dhe siç po e shihni jam shumë i kënaqur te Feronikeli.

Në Kosovë jeni shumë i adhuruar pasi që keni luajtur për Kombëtaren e Shqipërisë, a e ndjeni këtë gjë?

Duro: Sigurisht se po. Më bëhet qejfi dhe normalisht ndjehem mirë. E kam vënë re te të gjithë. Gjithë respektin që kanë treguar karshi meje dhe normalisht këtë gjë ta bënë vetëm futbolli.  saktë ti e ndjen atë ke bërë për fanellën e Kombëtares Shqipërisë dhe sigurisht për shqiptarët anë e mbanë botës kudo janë.

Sa jeni përshtatur me jetën e re në Kosovë dhe ku banoni?

Duro: Jam përshtatur shumë mirë dhe jam duke banuar në Prishtinë.

T’i rikthehemi Feronikelit, sa jeni të kënaqur me aventurën te ky klub?

Duro: Sigurisht që jam shumë i kënaqur. Normalisht nga dita në ditë kemi arritur përpos lojës, lodhjes apo gjithçkaje, në fund ne e ndjejmë atë kënaqësinë e punës sonë. Kemi mundur të bëjmë më mirë. Nuk jam këtu nga fillimi. Vij në një sezon që kishte nisur dhe normalisht një punë është më mirë të niset nga fillimi. Është sikur puna e pacientit që ka probleme, sëmundjen është më mirë ta parandalosh se sa ta kurosh.

 

Image

A keni pritur rezultate më të mira?

Duro: Kemi pritur rezultate më të mira dhe normalisht mendoj se duhet të kishim më tepër pikë në tabelë, por ato nuk i kemi për arsye të ndryshme. Nuk ka qenë e lehtë për futbollistët të ndërrohet trajneri, të vjen një trajner me ide të reja, me stërvitje të reja. Pandemia e ka bërë punën e saj edhe ju e shihni se kalendari i ndeshjeve ka qenë shumë i ngjeshur, çdo tre ditë nga një ndeshje. Normalisht për mua është edhe futbollistët kjo është e vështirë, pasi që në tre ditë nuk mundesh të punosh ato që ti kërkon nga ekipi. Ne kemi bërë ndeshje të mira me skuadrat që kryesojnë tabelën e Superligës. Me Ballkanin kemi qenë në avantazh në minutën deri në minutën e 95-të pas daljes me karton të kuq të Bojkut, rezultati është barazuar. Në Gjilan kemi bërë një super-ndeshje dhe kemi përfunduar në barazim. Na është anuluar një gol super i rregullt i Malajt. Ajo çka ndodhi në Gjilan ndaj Dritës të gjithë e panë. Nëse do të pranohej goli jonë i rregullt, do të ishte rezultati 2:0 dhe ndeshja do të merrte kahje tjetër. Unë nuk jam nga ata që justifikohen apo qahen, por sigurisht ne jetojmë në Kosovë, luajmë në Superligën e Kosovës dhe ju po e shihni që nga java në javë ka shumë gjëra për t’u rregulluar në mënyrë që gjithë futbolli kosovar të jetë më i bukur dhe më i shikuar.

Javët e fundit janë përfolur shumë probleme te Feronikeli, pse u larguan ndihmës-trajnerët Avni Hasani dhe Ramiz Dervishi?

Duro: Kjo pyetje mund t’i bëhet klubit dhe personave në fjalë. Unë nuk jam këtu për të larguar ndonjë njeri por jam për të punuar. Nga dita e parë kam punuar nga mëngjesi deri në mbrëmje me përkushtim dhe do të vazhdoj ta bëjë këtë pasi që kjo është profesioni dhe puna ime. Unë nuk largoj njeri dhe nuk marrë njeri. Normalisht mund të vija që në fillim me gjithë stafin tim dhe të punoja me stafin tim dhe nuk do të kishte asgjë në mes. Unë ua kam thënë të gjithëve në klub se çdo njeri kokën e vet e ka mbi supet e veta dhe është përgjegjës për punën e vet.

 

Image

Avni Hasani ka deklaruar se nuk jeni i ngritur profesionalisht, madje ka thënë se keni probleme mentale, si i komentoni këto deklarata?

Duro: Është mendimi i tij dhe unë e respektoj mendimin e tij.

Po Ramiz Dervishi, pse u largua?

 

Image

Duro: Këto janë punët tona, punët e klubit. Unë e thashë përpara se unë nuk largoj njeri, por secili e largon veten e vet.

Në medie ka qarkulluar një lajm se futbollisti Bedri Greca e ka rrahur ekonomin e klubit. A është suspenduar Greca, cila është e vërteta rreth kësaj?

Duro: Këto janë gjëra që ne i mbyllim brenda klubit, siç edhe e mbyllëm. Atje ku punohet ka edhe gabime, jo vetëm te ne, por edhe tek të gjitha klubet e mëdha evropiane. Kudo që punohet do ketë këso gjërash. Më e mira është që gjërat të mbesin brenda klubit. Nëse ka ndonjë arsye për ata që ju përmendët përpara që janë larguar është sepse gjërat e shtëpisë rrinë brenda, nuk dalin jashtë.

Së fundmi janë suspenduar gjashtë futbollistë, Alban Pnishi, Viktor Kuka, Argjend Bardhi, Santos dhe Ozbej Kuhar. Pse?

Duro: Edhe këtë pyetje mund t’ia bëni klubit. Unë nuk suspendoj njeri. Unë jam punëtor për vete, punoj siç punojnë edhe futbollistët, këto vendime janë të kryesisë së klubit.

A ka gjasa që ata të rikthehen në ekip. A e merrni ju vendimin apo kryesia e klubit për lojtarët që juve si trajner mund të ju nevojiten?

Duro: Ne funksionojmë si një klub futbolli korrekt. Gjithë vendimet janë të kryesisë së klubit. Ky nuk ishte vendim që erdhi nga unë. Ky është vendim i klubit. Klubi nuk është i çmendur të mos mbajë futbollistët që duhen apo futbollistët që kanë dhënë gjithçka në fushën e lojës apo në punën e tyre. Ky është vendim i tyre që ata e kanë gjykuar në një kohë, përfshirje të gjerë. Jo vetëm për ata, por për të gjithë futbollistët që janë këtu janë marrë vendime, kjo i përket klubit tonë.

A synoni përforcime në afatin e janarit dhe në cilat pozita ka nevojë skuadra juaj për transferime?

Duro: Për momentin unë jam i kënaqur me gjithë futbollistët që po punoj aktualisht. Normalisht se çdo ekip në botë ka nevojë për përmirësime. Kur të përfundojnë këto ndeshje do të ulemi qetësisht dhe kemi kohën në dispozicion për të menduar se ku kemi nevojë.

 

Image

Cili mbetet objektivi i Feronikelit?

Duro: Objektivi jonë është ndeshje pas ndeshje të fitojmë çdo takim që kemi përpara dhe pastaj duke fituar ndeshjet unë mendoj se do të jemi shumë lartë në tabelë. Atje ku na takon dhe për që kemi dhënë në fushën e lojës.

Feronikeli ka ndërruar shumë trajnerët, sigurisht se jeni informuar...?

Duro: Çdo klub ka vendimet e veta. Unë jam shumë i qetë në punën time sepse jam shumë i sigurt në aftësitë e mia. Mbi të gjitha jam i sigurt te gjithçka që po punojmë dhe po ndërtojmë nga dita në ditë. Normalisht një klub duhet të funksionoj me hiearki dhe hiearkia jonë është e saktë. I pari në klub është presidenti, zëvendës-presidenti, drejtorët, punëtorët e klubit, trajneri, futbollistët e stafi tjetër. Mendoj se nëse gjithkush e di punën e tij atëherë çdo kush është i qetë dhe i sigurt në punën e tij.

Image

Çka ju ka bërë më shumë përshtypje në futbollin e Kosovës, për të mirë dhe për të keq?

Duro: Sigurisht se jam i kënaqur pasi po shoh që secili klub po punon që të rritet, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në strukturat e veta apo edhe në infrastrukturë. Sigurisht jam i kënaqur siç e thamë edhe nga mikpritja dhe nga gjithçka që kam gjetur. Jam shumë i sigurt se shumë shpejt futbolli i Kosovës do të eci përpara. Normalisht çdo ekip ka vend për t’u përmirësuar po ashtu edhe gjithë futbolli i Kosovës. Nëse të gjithë punojnë dhe sakrifikojnë për këtë lojë që quhet futboll, unë mendoj që gjithkush “vë një tullë” për të quar përpara futbollin e Kosovës.

Diçka për fund?

Duro: Ju falënderoj juve për gjithë pyetjet dhe për intervistën. /Zeri.info