Arbër Potoku i lumtur me fillimin e edicionit, tregon pretendentët kryesor të Ballkanit për titullin kampion

Arbër Potoku i lumtur me fillimin e edicionit, tregon pretendentët kryesor të Ballkanit për titullin kampion

Sport October 29, 2020 - 17:02

Pa asnjë dyshim të vetëm, Ballkani është skuadra më në formë këtë edicion, duke arritur që në fazën e parë ta tregojë potencialin e plotë dhe ta zë vendin e parë në renditjen tabelore.

Skuadra që drejtohet nga Ismet Munishi në nëntë ndeshjet e para të këtij edicioni në Superligën e Kosovës, ka regjistruar shtatë fitore, një barazim dhe vetëm një humbje, shkruan "Zeri.info".

Fazën e parë të edicionit, Ballkani e mbylli me një fitore dramatike (2:1) ndaj FC Prishtinës, derisa fazën e dytë e nis ndaj Besës së Pejës në shtëpi.

Mbrojtësi i krahut të majtë te Ballkani, Arbër Potoku në një bisedë me "Zeri.info" ka thënë se ai dhe bashkëlojtarët e tij kanë pritur rezultate të tilla në fillim të edicionit.

Image

"Sigurisht që jemi të kënaqur me fillimin e edicionit dhe fazën e parë. Prisnim rezultate të tilla pasi kemi punuar mjaft shumë, si kryesia, shtabi teknik dhe të gjithë futbollistët. Shpresojmë të vazhdojmë tutje kështu dhe ta kemi shëndetin", ka deklaruar fillimisht Arbër Potoku.

Në prag të fillimit të fazës së dytë të kampionit, Potoku ka kërkuar nga bashkëlojtarët e tij të jenë të fokusuar për t'i arritur rezultatet e duhura.

"Tani fillon faza e dytë. Duhet të jemi shumë të fokusuar dhe të vendosur që të arrijmë rezultate edhe në këtë ndeshje pasi që kundërshtar të lehtë nuk ka, dhe kjo po dëshmohet", tregoi ish-futbollisti i Trepçës'89.

Për fund, Potoku ka treguar se cilat skuadra i sheh pretendent kryesor për titullin e kampionit.

Image

"Rivalët tanë shihen dhe dihet cilët janë - Drita, Gjilani dhe FC Prishtina. Poashtu në garë janë edhe Feronikeli dhe Llapi, të cilët kanë skuadra cilësore përkundër fillimit të dobët këtë edicion", përfundoi të enjten për "Zeri.info" Arbër Potoku. /Zeri.info