Për formën e lartë të Mirlind Dakut shkruajnë edhe në Poloni

Për formën e lartë të Mirlind Dakut shkruajnë edhe në Poloni

Sport October 29, 2020 - 16:36

Qendërsulmuesi i Ballkanit, Mirlind Daku është duke kaluar nëpër një formë të jashtëzakonshme në elitën e futbollit kosovar me skuadrën nga Suhareka, me të cilën pas shtatë ndeshjeve kampionale, ka arritur në kuotën e 14 golave.

Daku mesatarisht për çdo ndeshje këtë edicion ka shënuar dy gola, derisa forma e tij mbresëlënëse ka lënë “gojëhapur” të gjithë, raporton “Zeri.info”.

“Bomberi” nga Gjilani para Ballkanit kishte luajtur te Hajvalia dhe Llapi, derisa nga skuadra llapjane kishte kaluar Osijeku në Kroaci, ku kishte pasur vështirësi të përshtatet.

Nga Osijeku, Daku e nisi një aventurë të re në Kukës në Shqipëri, derisa në fillim të këtij viti u rikthye në Kosovë te Ballkani.

Image

Te skuadra që drejtohet nga Ismet Munishi, Dakut iu rikthye vetëbesimi i cili i mungonte në vitet e fundit, derisa këtë edicion ai ka “shpaguar” besimin e drejtuesve të klubit duke “shpërthyer” me shumë gola.

Kohëve të fundit, falë formës së tij, është përfolur shumë për mundësinë që ai të ftohet nga Përfaqësuesja A e Kosovës, megjithatë, përzgjedhësi Bernard Challandes vazhdimisht ka ngurruar të ftojë futbollistë nga Superliga e Kosovës.

Nga ana tjetër, për formën e Dakut po flitet kudo në Evropë, derisa forma e tij ka mahnitur edhe tifozët polak të futbollit.

Një tifoz i futbollit nga Polonia me emrin "Pawel" në rrjetin social "Twitter" ka lavdëruar futbollistin 22-vjeçar të Ballkanit.

"Si pjesë e kuriozitetit, një golashënues i madh luan në Kosovë. Emri i tij është Mirlind Daku. 22-vjeçar, në huazim te klubi i Ballkanit nga Osijeku. Këtë edicion, në tetë ndeshje ka shënuar 15 gola", ka shkruar ai.

Por, falë formës së mirë, gjasat që Daku ta nis edhe një tjetër aventurë të re në Evropë nuk janë të vogla.

Burime të “Zeri.info” mësojnë ekskluzivisht se futbollisti i Ballkanit është duke u vëzhguar nga disa klube të mëdha italiane, të cilat garojnë në Serie A, derisa interesimi i tyre për transferimin e Dakut nuk mungon.

Gazeta ka mësuar se klubet si Lazio dhe Torino kanë nisur ta monitorojnë situatën e 22-vjeçarit shtatlartë, por që deri më tani ende nuk ka asgjë konkrete.

Image

Klubet në fjalë e synojnë transferimin e Dakut, por me idenë që fillimisht ta dërgojnë në huazim në ndonjë klub më të vogël italian për të fituar eksperiencën e duhur.

Ndryshe, Daku me Ballkanin këtë fundjavë, saktësisht të dielën, përballen me Trepçën’89 në “Riza Lushta”.

Ai shpreson se edhe në këtë xhiro do të jetë vendimtar për Ballkanin me golat e tij. /Zeri.info