Kriza e Llapit, kapiteni Mentor Zhdrella i sqaron arsyet

Kriza e Llapit, kapiteni Mentor Zhdrella i sqaron arsyet

Sport October 29, 2020 - 15:55
Detajet

Dje (e mërkure) ka përfunduar java e nëntë e Superligës së Kosovës në futboll, raporton “Zeri.info”.

Njëherit ka përfunduar edhe faza e parë e Superligës e cila ka sjellë shumë befasi të cilat në fillim nuk kanë qenë edhe të pritura.

Skuadra që ka befasuar ka qenë, Llapi e cila gjatë afatit kalimtar të verës ka sjellë në radhët e veta futbollistë cilësorë dhe nga njohësit e futbollit kosovar, skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina është parë si njëra nga kandidatët për titull të kampionit.

Llapi pas javës së nëntë ndodhet në vendin e parafundit në tabelë me vetëm pesë pikë të grumbulluara.

Njëri nga futbollistët më me përvojë te llapjanët, Mentor Zhdrella në një bisedë me “Zeri.info” ka thënë se ata nuk e kanë pritur këtë fillim të kampionatit me rezultate negative, por sipas tij Llapi ka bërë lojëra të mira në fushë.

“Ne nuk e kemi pritur këtë fillim kështu. Në bazë të lojës që kemi treguar në fushë, është dashur të jemi më lartë në tabelë. Dihet që kemi shumë ndryshime në ekip dhe komponimi i ekipit nuk bëhet brenda ditës, por duhet pak kohë. Por unë besoj se do i marrim ndeshjet një nga një. Sigurisht jemi të vetëdijshëm për situatën, por duhet shikuar përpara si të dalim nga kjo krizë dhe të rikthehemi rezultateve pozitive”, ka thënë Mentor Zhdrella.

Ndeshja e radhës është po ashtu e vështirë për klubin nga Podujeva, pasi që takohet me Dritën në shtëpi.

Zhdrella e ka vlerësuar lartë skuadrën gjilanase, por se sipas tij, Llapi është duke u përgatitur për rezultat pozitiv.

“Është e vërtetë se Drita ka një ekip shumë të mirë. Ata janë kampion në fuqi dhe se do të përgatitemi maksimalisht për rezultat pozitiv”, ka shtuar më tutje ai.

Sa i përket luftës për titull të skuadrës “bardhekaltër”, Zhdrella është treguar i matur duke thënë se synimi i tyre është që së pari të rikthehen te rezultatet pozitive.

“Sigurisht se kemi ekip për kreun e tabelës. Fillimisht jemi të fokusuar tek loja dhe rezultatet pozitive, pastaj do e shohim të jemi sa më lartë në tabelë”, përfundoi Mentor Zhdrella.

Llapi të dielën e pret skuadrën e Dritës në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ndeshje kjo që fillon nga ora 13:30 dhe zhvillohet pa praninë e publikut për shkak të koronavirusit.

/Zeri.info