Rrëfehet Nuhiu: Drita do ta përsëritë edicionin e kaluar e për këtë arsye nuk po aktivizohen transferimet nga minuta e parë, ky ekip më ka befasuar për të keq

Rrëfehet Nuhiu: Drita do ta përsëritë edicionin e kaluar e për këtë arsye nuk po aktivizohen transferimet nga minuta e parë, ky ekip më ka befasuar për të keq

Sport October 29, 2020 - 11:45
Detajet
Image

Kampionia në fuqi e Kosovës, skuadra e Dritës, e ka nisur edicionin 2020-2021 me objektivat e edicionit të kaluar, titullin kampion në Kosovë.

Ardian Nuhiu, trajneri i cili vitin e kaluar e solli titullin në “kabinetin” e trofeve te klubi nga Anamorava, edhe këtë vit pritet ta ndjekë trofeun më të lakmuar në futbollin kosovar, që tashmë e kërkojnë edhe shumë skuadra të tjera.

“Zeri.info” ishte në stërvitjen e klubit gjilanas, pas fitores 0:1 në Obiliq ndaj Arbërisë, e ku Drita e Ardian Nuhiut filloi menjëherë përgatitjet për duelin e radhës kundër Llapit.

Nuhiu, që vjen nga Maqedonia e Veriut, ka folur rreth xhirove të para, duke treguar se cilat skuadra po e befasojnë, rivalët kryesorë për titull, afati kalimtar i Dritës e shumëçka tjetër.

Shtatë ndeshje, 16 pikë, a ka ndonjë koment nga Ardian Nuhiu?

Nuhiu: Gjithmonë kërkojmë të përmirësohemi. Mendoj se jemi mirë dhe duhet te vazhdojmë të punojmë kështu. Po shohim një kampionat të barabartë, nuk ka kundërshtar të dobët, duhet të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje. Pak a shumë kemi mbetur të takohemi edhe me dy kundërshtarë (Prishtina e Llapi), t’i shohim të gjithë. T’i prekim nga pak. Siç dihet, kemi luajtur edhe me ekipin e Besës, ekipin më modest, por e kemi parë edhe vetë se sa në vështirësi na ka futur ky ekip. Kemi skuadër cilësore me futbollistë cilësorë, ku nuk dyshoj aspak në fitore. Por gjithmonë duhet bërë maksimumin për të arritur fitore.

E keni humbur një derbi me Ballkanin dhe barazuat në derbin lokal me Gjilanin. Me skuadra të forta nuk keni fituar. Cili është komenti juaj?

Nuhiu: Siç dihet, me Gjilanin kemi bërë ndeshje shumë të mirë. Kemi dominuar gjatë gjithë kohës, thjesht na ka munguar fati për ta fituar atë takim. Ndryshe, në ndeshjen tjetër derbi kundër Ballkanit, ekip i cili ka ecur shumë mirë deri më tash, gjërat na u vështirësuan në momentin e kartonit të kuq, pasi e kishim filluar shumë mirë takimin edhe pse ishim në disavantazh. Kisha besim shumë te grupi se do të kthehemi, por pastaj kartoni i kuq na vështirësoi gjërat. Kishim një iniciativë të vogël për të rikthyer ndeshjen, por pastaj erdhi goli i dytë, ku u mbyll gjithçka.

 

Image

Cila është ndeshja më e mirë dhe më e dobët e këtij kampionati deri më tash?

Nuhiu: Kemi luajtur ndeshje mjaft të mira. Kisha veçuar pjesën e parë me Gjilanin, ku jashtëzakonisht kemi dominuar në çdo aspekt, thjesht na ka munguar vetëm fati për të realizuar. Në çdo ndeshje të fituar kemi treguar lojëra të mira. Në pjesën e parë me Drenicën kemi bërë tre gola dhe me gëzon fakti se nuk i kemi lejuar të na rrezikojnë në asnjë moment. Pak a shumë, të gjitha ndeshjet kanë qenë të mira, por kisha veçuar këto dy pjesë të para, me këta dy kundërshtarë.

Drita njihet për një tifozeri të flaktë, sa po ju mungojnë “Intelektualët”?

Nuhiu: Jashtëzakonisht shumë. Dihet që ata janë futbollisti ynë i 12-të. Ata sidomos po u mungojnë futbollistëve për t’ua dhënë mbështetjen. Nuk është se nuk e ndiejmë nga jashtë, por më vjen keq që ata nuk po mund të vijnë t’i shijojnë këto ndeshje të mira, që po i zhvillojnë këta futbollistë e të cilët po marrin rezultate pozitive. Shpresoj dhe uroj të rikthehen sa më shpejt dhe të jenë në stadium, të na mbështesin.

 

Image

Duke u bazuar në ndeshjet e para, cila skuadër mendoni se është rivali më i fortë për Dritën në luftën për titull?

Nuhiu: Si rivalë i shoh 5-6 ekipe, për shkak se është fillimi i kampionatit. Mund të ketë gjatë kampionatit krizë sot njëri ekip, nesër një ekip tjetër, por mendoj se kanë futbollistë cilësorë. Këtu shoh Prishtinën, Ballkanin, Gjilanin. Mendoj që edhe Feronikeli dhe Llapi mund të këndellen dhe të rikthehen për të bërë garën më interesante. Do të jetë një nga kampionatet më të vështira pasi takohemi me secilin kundërshtar plot katër herë. Do të kemi shumë derbi. Ekipi që do të ruajë më shumë qetësinë dhe momentin që ka krizë mendoj se në fund do të jetë fitimtar.

Cila skuadër ju ka befasuar për të mirë e cila për të keq në këto ndeshjet e para?

Nuhiu: Të gjithëve na befason skuadra e Llapit. Ka zhvilluar ndeshje të mira, por thjesht u ka munguar fati për të marrë rezultate, sepse dihet që kanë grup shumë cilësor. Për të mirë kisha veçuar ekipin e Besës. Ku me futbollistë të rinj po zhvillojnë ndeshje të mira dhe po shohim që edhe ekipeve më të forta dhe po u shkakton probleme.

Transferet 

Drita ka realizuar disa transferime në afatin e verës. A i ka realizuar pritshmëritë tuaja?

Nuhiu: Gradualisht ata po ambientohen me grupin. Ne kemi dashur në këtë mënyrë të ruajmë grupin me ekipin, i cili doli kampion dhe gradualisht duke e ndërtuar ekipin. Ata po ambientohen me grupin edhe pse janë të kyçur pak me vonesë me ekipin tonë. Ndoshta edhe përgatitja e tyre fizike nuk është më e mira. Po mundohemi ta menaxhojmë forcën e tyre për të dhënë më të mirën për ekipin.

Pse të gjitha transferimet e këtij sezoni, Jamali, Brdarovski, Alidema e Ahmeti, kanë qëndruar më shumë rezervë në fushën e gjelbër? A do të thotë kjo që nuk jeni i kënaqur me transferimet?

Nuhiu: Jo, jam i kënaqur shumë me transferimet. Ne kemi ruajtur grupin me ekipin, i cili doli kampion. Ata po ambientohen shumë mirë më grupin. Ajo që ata po qëndrojnë në stol ka qenë fakti se gjendja fizike nuk ka qenë e mirë. Siç dihet, Alidema ka pasur një pauzë të gjatë dhe tash po mundohemi të menaxhojmë forcën e tij për të marrë më të mirën nga ai dhe të tjerët.

 

Image

Kontrata e Nuhiut me Dritën

Disa trajnerëve në Superligë u është kërkuar titulli kampion për të vazhduar bashkëpunimin. A u është kërkuar edhe juve, me ç’rast ju tashmë e keni vazhduar kontratën edhe për dy edicione?

Nuhiu: Nuk diskutohet. Në momentin që je kampion duhet të bësh forcë që ta ruash atë. Ne jemi të uritur për sukses. Nuk do të kënaqemi me atë që vitin e kaluar kemi marrë. Patjetër që do ta kërkojmë edhe këtë edicion titullin, mirëpo kemi mjaft kundërshtarë të fortë. Duhet menaxhuar mirë situatën. Duhet ruajtur qetësinë duke ecur nga ndeshja në ndeshje për të marrë më të mirën.

A ju lidh kontrata me objektivat e Dritës, apo keni nënshkruar vetëm kontratë pune?

Nuhiu: Ne trajnerët jemi gjithmonë me valixhe në dorë. Nuk diskutohet, unë kam bashkëpunim shumë të mirë më udhëheqësit, gjithashtu ndiej edhe mbështetjen nga tifozët. Do të bëjë gjithmonë maksimumin për të marrë më të mirën.

Në pranverë mund të zhvendoseni në terrenin ndihmës me bar sintetik, pasi stadiumi kryesor është duke u rindërtuar. A do t’ju penalizojë juve si skuadër ky fakt?

Nuhiu: Kjo do të jetë mjaft e vështirë. Duhet të bisedoj edhe me udhëheqësit nëse mund të gjejmë një alternativë tjetër, sepse kemi futbollistë cilësorë dhe në momentin që ke futbollistë cilësorë duhet të kesh një fushë të mirë për të shprehur ato vlerat e tyre. Nuk e kam menduar ende. Do të bisedoj, të shohim nëse ka një alternativë tjetër. /Zeri.info

Image