Histori: Çfarë kishte thënë Fadil Vokrri në vitin 1983 për Prishtinën, si e kishte kundërshtuar  trajnerin serb që ta merrte Prishtina dhe çfarë thoshte për Lirinë dhe Vëllaznimin?

Histori: Çfarë kishte thënë Fadil Vokrri në vitin 1983 për Prishtinën, si e kishte kundërshtuar trajnerin serb që ta merrte Prishtina dhe çfarë thoshte për Lirinë dhe Vëllaznimin?

Sport October 28, 2020 - 09:50
Lajmet e fundit nga sporti

Kosova pa asnjë dyshim mund të ndihet krenare me emrat e mëdhenj që ka nxjerrë në skenën e futbollit, që sot edhe bota flet për ta. Pa dyshim më i madhi i të gjitha kohërave që ka kaluar jo vetëm kufijtë tanë, por edhe përtej, është Fadil Vokrri, shkruan “Zeri.info”.

Vokrri, i cili i dha shumë futbollit tonë si në fushë, ashtu edhe jashtë saj, njihet edhe për modestinë e madhe që kishte. Zaten kjo edhe e bëri atë të veçantë dhe ta ngrejë në piedestal. Stadiumi më i madh në madh në vendin tonë, ai i Prishtinës, e bart emrin e tij “Fadil Vokrri”, por kjo duket më e pakta që mund të bëhet për këtë njeri kaq të madh.

Image

Ylli kosovar në kohën kur ishte në kulmin e karrierës në vitin 1983 në një intervistë për atëbotë “Zëri i Rinisë” me gazetarin Musa Alaj në numrin festiv të Vitit të Ri, kishte folur për pritshmëritë e Prishtinës, refuzimin trajneri Kallaperoviçit që ta merrte Prishtinën si dhe për skuadrat shqiptare Lirinë e Vëllaznimit që bënin gara në Ligën e Dytë të ish Jugosllavisë.

“Në pranverë përkatësisht në stinorin e dytë synimet e Prishtinës janë vendi i parë. Kemi gjasa reale që tifozët tanë t’i gëzojmë me rezultate të mëdha duke hyrë në Ligën e Parë federative. Por për të arritur këtë duhet angazhim jo vetëm i yni por edhe i udhëheqësisë së klubit dhe adhuruesve tanë. Besoj shumë se gjasat janë të mëdha që t’i kurorëzuar dëshirat e kamotshme të futbolldashësve kosovarë”, kishte thënë Vokrri vetëm një stinor para se Prishtina të inkuadrohet në elitën e futbollit të Jugosllavisë. Legjenda në atë kohë kishte parashikuar edhe ndeshjet me të vështira që i presin në pranverë.

“Ndeshja në Nikshiq me Sutjeskën do të jetë më e vështira, por hiq më e lehtë nuk do të jetë as ajo në Manastir. Edhe ndeshja e parë në Titovo Uzhicë me Sllobodën do të jetë mund të them vendimtare. Nëse nga këto tri udhëtime kthehemi me fitore, atëherë për ne nuk do të ketë “dimër””, kishte thënë Vokrri.Image

Ish sulmuesi i Prishtinës edhe në atë kohë kur gjithçka kontrollohej nga pushteti i atëhershëm, nuk i kishte harruar lojtarët vendorë duke i mbështetur, derisa fuqishëm kishte kundërshtuar trajneri serb Tomisllav Kallaperoviq për ta marrë drejtimin e Prishtinës.

“Momentalisht Prishtina është skuadër e fortë me lojtarë cilësorë dhe me një perspektivë të shkëlqyer. Kur them, kështu dëshiroj që këtë ta arsyetoj me fakte. Shumica e futbollistëve që i mbrojnë ngjyrat e Prishtinës janë të rinj, pastaj një kohë të gjatë luajnë bashkë, komponent mjaft i rëndësishëm si dhe shtabi teknik në krye me Bella Plafin dukshëm kontribuuan në afirmimin e secilit individ dhe në arritjen e sukseseve të cilat janë evidente. Njëherësh kemi një udhëheqësi entuziaste. Mirëpo, mjaft më befasoj kur mora vesh nëpërmjet shtypit se kishte ndërmarrë një hap të gabuar për angazhimin e disa futbollistëve dhe të Tomisllav Kallaperoviçit në krye të shtabit teknik, i cili për mosangazhim dhe sjellje joprofesioniste udhëheqësia e Partizanit e largoi. Vallë, atëherë ç’na duhet një person i tillë?

Jo vetëm ai, por kushdoqoftë nëse vjen në mesin tonë, do të përfundojë kampionati pranveror derisa t’i mësojë fshehtësitë e secilit futbollistë. Prandaj nëse udhëheqësia e Prishtinës vepron në këtë mënyrë, madje në këtë rast pas shpinës së lojtarëve, skuadra e kryeqendrës sonë e cila ka synime reale për vendin e parë, do të bjerë në atë pozitë të palakueshme që do të luftojë për ekzistencë. Ndoshta në këtë rast më ka kapluar pesimizmi por sporti kështu e ka e tillë është jeta sportive”, kishte thënë Vokrri, duke folur më pas edhe për dy skuadrat tjera shqiptare Lirinë e Vëllaznimin e Gjakovës.

“Ato nuk kanë pse të frikësohen në pjesën e dytë të kampionatit. Janë skuadra mjaft stabile në ligë. Qoftë në fushën e tyre qoftë jashtë saj. Si njëra si tjetra para vetës kanë një perspektivë të shëndoshë”, kishte thënë Vokrri duke iu përgjigjur më pas pyetjes se çka e inspiron në jetë dhe në ndeshje.Image

“Kudo e gjejë inspirimin në çdo hap. Mirëpo, publiku është ai që më jep krahë në fushën e gjelbër. Njëherësh shfrytëzoi rastin që nëpërmjet “Zërit të Rinisë” t’i përshëndes duke i ftuar që edhe më shumë të jenë prezent në shkallët e stadiumit të qytetit. Natyrisht që edhe kundërshtari i fortë me preokupon që më shumë të angazhohem dhe të shënoj gola. Përveç futbollit me ëndje i shikojë ndeshjet e basketbollit. Mirëpo edhe hendbolli është një lojë mjaft atraktive dhe me dëshirë kur kam kohë i përcjelli. Sa i përket futbollistëve e adhuroj lojën e Rumenniges dhe lojën që demonstrojnë futbollistët e Gjermanisë”.

Kohën e lirë si e kalon?

“Në rrethin familjar. Lexoj shtypin, herë pas herë edhe ndonjë libër të zhanreve të ndryshme. Poashtu jam dashamirë i muzikës argëtuese si dhe i artit të shtatë-filmit”, kishte përfunduar Fadil Vokrri.

Vokrri ndërrojë jetë me 9 qershor të vitin 2018 në moshën 57 vjeçare, pas një ataku kardiak. /Zeri.infoImage