Pandemia ia prish planet Kosovës U19 dhe trajnerit Ramiz Krasniqi

Pandemia ia prish planet Kosovës U19 dhe trajnerit Ramiz Krasniqi

Sport October 23, 2020 - 10:24

Përfaqësuesja e Kosovës për grup-moshat U19 nuk është grumbulluar, si dhe nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje prej shkurtit të këtij viti.

Djelmoshat e rinj të Kosovës për shkak të pandemisë COVID-19 nuk kanë arritur t’i realizojnë planet e tyre për grumbullime përgatitore ose zhvillim të ndonjë ndeshjeje, shkruan “Zeri.info”.

Herën e fundit kur Kosova U19 u grumbullua ishte shkurti i këtij viti, ku "Dardanët" morën pjesë në turneun "Roma Caput Mundi" e skuadra e Ramiz Krasniqit triumfoi, duke mposhtur në finale Moldavinë me rezultat 1:0.

Image

Trajneri Krasniqi në një bisedë me "Zeri.info" ka thënë se situata aktuale me pandeminë COVID-19 ka sjellur në një gjendje të tillë, e cila nuk është aspak e lehtë për të dhe skuadrën.

"Në shtator e kemi pasur Ligën e Kombeve, në nëntor kemi pasur përgatitje për eliminatoret e Kampionatit Evropian, por situata momentale me pandeminë COVID-19 ka shtyrë gjithçka", deklaroi fillimisht Ramiz Krasniqi, duke vazhduar:

"Për shkak të situatës me pandeminë, deri në mars nuk do të kemi asnjë grumbullim".

Image

Ai ka thënë se ka pasur plane për grumbullim në muajin e kaluar, por që kjo nuk ndodhi.

"Kjo që ka ndodhur është e sikletshme, prej muajit shkurt nuk kemi pasur aktivitete. Kemi pasur në plan të tubohemi para një muaji, por situata aktuale e ka shtyrë këtë", tregoi ai.

Për fund, trajneri i mirënjohur kosovar ka potencuar se është duke i përcjellur vazhdimisht futbollistët e Kosovës U19.

"E kemi një skuadër të talentuar dhe jemi duke i përcjellur vazhdimisht, është pozitive pasi disa luajnë edhe në Superligën e Kosovës. Pas turneut në Romë kemi pasur synime për tubime më të shpeshta, por kjo nuk u bë. Megjithatë, ne jenmi të gatshëm të nisim me grumbullime kurdo që situata të përnmirësohet", përfundoi të premten për "Zeri.info" Ramiz Krasniqi. /Zeri.info

Image