Stadiumi “Fadil Vokrri” pritet të zgjerohet dhe të bëhet me mbi 20 mijë ulëse, FFK-ja shpreson në ndihmën nga MKRS-ja

Stadiumi “Fadil Vokrri” pritet të zgjerohet dhe të bëhet me mbi 20 mijë ulëse, FFK-ja shpreson në ndihmën nga MKRS-ja

Sport October 23, 2020 - 09:38

Stadiumi më modern në Kosovë, "Fadil Vokrri", pritet të zgjerohet. Derisa momentalisht posedon mbi 13 mijë ulëse, kjo arenë mund të zgjerohet deri në afërisht 20 mijë ulëse.

Për shkak të numrit të madh të të interesuarve për ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovë, kjo gjë do të ishte mjaft e mirëseardhur, shkruan "Zeri.info".

Projekti në fjalë është propozuar nga krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës, që ia kanë propozuar këtë plan Komunës së Prishtinës, e cila e ka në pronësi stadiumin "Fadil Vokrri".

Gjithashtu, edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është njoftuar me këtë plan, i cili po shqyrtohet nga Ministria në fjalë.

Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm në Federatën e Futbollit të Kosovës, për "Zeri.info" ka thënë se tashmë kanë nisur procedurat për këtë projekt.

"Ne së pari e kemi pasur një takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, pasi komuna e ka në pronësi stadiumin, por këtë plan e kemi prezantuar edhe në Qeveri, konkretisht te MKRS-ja", ka thënë fillimisht Eroll Salihu, duke vazhduar:

"Ahmeti është pajtuar se kjo është një ide e mirë dhe shpresojmë se këtë do ta realizojmë me forca të përbashkëta - ne si FFK, Komuna e Prishtinës, si dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit".

Salihu shpreson që të miratohet ky projekt, derisa shpreson në ndihmën nga MKRS-ja.

"Kjo ka mbetur tani në letër, pasi që po shihet edhe stabiliteti politik. Në parim duhet të miratohet dhe shpresoj se edhe MKRS-ja na ndihmon. Është një gjë që duhet ta shikojmë në aspektin juridik", tregoi njeriu i dytë në FFK.

Ai ka thënë se stadiumi "Fadil Vokrri" pritet të bëhet me rreth 20 mijë ulëse.

"Me këtë plan stadiumi 'Fadil Vokrri' do të bëhej me rreth 20 mijë ulëse. Sa i përket çmimit të projektit, nuk e di se sa do të kushtojë", potencoi Eroll Salihu.

Për fund, Salihu ka thënë që shpreson se punimet të nisin në vitin e ardhshëm.

"Ne shpresojmë se punimet të nisin vitin e ardhshëm, por që tani për tani nuk po dihet as për fatin e ndërtimit të stadiumit nacional. Zgjerimi i kapacitetit në 'Fadil Vokrri' do t'u shërbente shumë tifozëve të interesuar për ndeshjet e Kosovës", përfundoi të premten për "Zeri.info" Eroll Salihu. /Zeri.info