Sermaxhaj: Ballkani e Drita skuadra të ndërtuara mirë, Prishtina e Gjilani presin këndelljen

Sermaxhaj: Ballkani e Drita skuadra të ndërtuara mirë, Prishtina e Gjilani presin këndelljen

Sport October 19, 2020 - 19:16
Lajmet e fundit nga sporti

Gjashtë javët e para të Superligës së Kosovës në futboll ndonëse sollën disa rezultatet befasuese, gjithsesi janë të mjaftueshme për të ofruar një pasqyrë reale sesi mund të duket vazhdimi i këtij edicioni, shkruan “Zeril.info”.

Analistët shohin një kampionat tejet të fortë, por që mund të sjellë edhe befasi të mëdha. Trajneri i mirënjohur Sami Sermaxhaj, në një bisedë për “Zeri.info” ka analizuar këto gjashtë javët e para në Superligë duke e koniseruar si një garë shumë joshëse dhe interesante.

“Një format i ri i organizimit te garave te Superligës me 10 ekipe ka bërë që ky kampionat si në aspektin organizativ ashtu edhe atë garues të jetë më kualitativ dhe më interesant. Gjashtë skuadra (Prishtina, Ballkani, Drita, Gjilani, Feronikeli dhe Llapi) kanë bërë transferime kualitative dhe kanë shpallur synimet e tyre për të fituar titullin ose minimalisht për pjesëmarrje në garat evropiane, ndërsa Trepça 89, Drenica dhe Arbëria kanë synime për të ruajtur statusin në Superligë, kurse Besa e Pejës me mënyrën se si e ka ndërtuar ekipin ka dëshmuar që ose nuk kanë pasur njohuri për nivelin e Superligës dhe do te jenë mysafirë të përkohshëm në këtë nivel garues”, ka thënë fillimisht Sermaxhaj.Image

Sa i përket pjesës së epërme të garave në këto gjashtë javët e para tekniku gjilanas e vlerëson lartë lojën e Ballkanit.

“Ballkani është ekipi që është ndërtuar në mënyrën më të mirë të mundshme, kanë ruajtur boshtin e ekipit dhe kanë ofruar ardhje shumë cilësore, është ekip që ka lojtarë me shumë kualitet dhe energji për tu shpallur kampion. Energjia e Ballkanit është tek mosha e re dhe forma shumë e mirë e lojtarëve sulmues. Klubi Drita ka një organizim shumë profesional dhe rrjedhimisht edhe ekipi që permanent performon jashtëzakonisht stabil, dhe është kandidat shumë serioz për titull kampioni”, vlerësoi Sermaxhaj, duke folur më pas edhe për Prishtinën e cila megjithatë nuk e nisi kampionatin siç është pritur.

“Prishtina kanë bërë prurje shumë cilësore, por këto prurje kanë qenë pak të vonuara dhe mbetet të shihet se si do të komponohen dhe nëse do të mund të kompensojë pikët e humbura në fillim të kampionatit. Gjilani mendoj që e ka kualitetin individual ndër më të mirët në Superligë, mirëpo ka dy vite që orvatet të ndërtojë një ekip duke sjellë lojtarë të dëshmuar, por që ende nuk kanë arritur të kenë një Koncept loje. Zakonisht ekipa e Gjilanit zgjidhjen e një ndeshje e kërkojnë përmes veprimeve individuale, dhe mendojë që përderisa ekipa bazon lojën në individ do të ketë shumë të vështirë të fitojë edhe kampionatin”, ka thënë Sermaxhaj.Image

Dy skuadrat që padyshim në këtë start mund të cilësohen si dështim janë Feronikeli e Llapi, të cilat nuk i kanë arritur pritshmëritë, madje kjo e fundit ka dështuar totalisht.

“Jo të gjitha ekipet arrijnë të rrugëtojnë duke realizuar objektivat, Feronikli dhe Llapi janë ekipe të ndërtuara për të konkurruar për titull, por që fillimi i tyre lë shumë për të dëshiruar dhe do të kenë shumë të vështirë daljen në Evropë, por me kualitetin individual që shpresoj që nuk do të duhej të rrezikohej mbijetesa në Superligë. Llapi një ekip me shumë kualitet por pa ide në organizimin e lojës, qoftë në fazën sulmuese apo mbrojtëse”, tha ish trajneri i Prishtinës, Ballkanit e shumë skuadrave tjera.Image

Sa i përket luftës për mbijetesë duket se edhe ajo do të jetë shumë e ashpër. Dy skuadra bien direkt dhe kjo bën që rivaliteti në pjesën e poshtme të tabelës të jetë shumë i madh.

“Drenica, Trepça ‘89 dhe Arbëria deri në fund do të luftojnë për të siguruar mbijetesën në Superligë, njëra nga këto do të bien në një nivel më poshtë kurse tjetra do të kërkoj mbijetesën përmes barazhit. Futbolli është interesant vetëm ngase është I pakalkulueshëm dhe dinë të surprizojë edhe njohësit më të mirë të futbollit, prandaj shpresojmë që edhe ky kampionat të na surprizojë dhe pikërisht surprizat janë ato që e bëjnë futbollin lojën më tensionues dhe njëkohësisht më joshëse në planet”, përfundoi Sami Sermaxhaj. /Zeri.info