Infektuar: 17139
Shëruar: 14787
Vdekur: 657
Kozniku flet për përgjegjësit për dështimin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, njerëzve në FFK nuk ua përmend emrat, e përmend vetëm “sekletarin”

Kozniku flet për përgjegjësit për dështimin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, njerëzve në FFK nuk ua përmend emrat, e përmend vetëm “sekletarin”

Sport October 15, 2020 - 17:39
Detajet

Barazimi me Greqinë në Athinë 0:0, ktheu për një moment entuziazmin dhe shpresat te Përfaqësuesja e Kosovës e cila nuk po kalon ditë të mira.

Eliminimi nga Maqedonia e Veriut në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve vazhdon të cilësohet një dështim i pafalshëm dhe një rast i artë i humbur për kualifikim në Kampionatin Evropian “Euro 2020” që organizohet vitin e ardhshëm.

Shumëkush e ka etiketuar trajnerin Bernard Challandes si fajtorin kryesor për këtë dështim, por ka të atillë që përgjegjësi i hedhin edhe Federatës së Futbollit të Kosovës që nuk reagoi me kohë.

Ish-futbollisti i mirënjohur shqiptar, Ardian Kozniku, në një rrëfim të gjatë për “Zeri.info”, ka analizuar ndeshjet e fundit të Kosovës, eliminimi nga Maqedonia, punën e trajnerit dhe reagimin që duhet bërë Federata pas dështimin në garat e “play off-it” në Ligën e Kombeve.

Sipas Koznikut, ky rast nuk është dashur të lëshohet, pasi Kosova sipas tij e ka një ekip fantastik dhe ka mundur shumë lehtë të kualifikohet në Evropian.

“Para se të filloj të bëj një analizë dhe të jap mendimin tim, dua të them se unë nuk kam asgjë kundër askujt as te Federata, as te trajneri dhe kurrë nuk flas për inat të askujt. Me vjen shumë keq që Kosova e ka lëshuar një rast të artë për t’u kualifikuar në Evropian ku pësoi humbje nga Maqedonia. Ajo ndeshje është dashur të përgatitet shumë më mirë. E kemi ditur rëndësinë e saj ndërsa Federata dhe skuadra një ditë para ndeshjes nuk e dinin se cilët futbollistë do t’i kenë në dispozicion. Më shumë merreshin se kush po vjen e kush po refuzon, se me përgatitjet për ndeshje. Kjo tregon se ai takim nuk është përgatitur si duhet dhe përgjegjësit dihen, selektori dhe Federata. Unë nuk i di arsyet pse nuk erdhën disa lojtarë dhe nuk dua të flas për atë temë, për atë le të sqarohet Federata”, ka thënë Ardian Kozniku për “Zeri.info”.

“Tek Kosova është krijuar një situatë interesante. Nëse e kritikon ekipin kombëtar të thonë se je xheloz e madje po të akuzojnë edhe për gjëra tjera. Po me dhemb zemra kur po i dëgjoj. Kosova ka ekip me lojtarë fantastikë dhe shpesh nuk dihet çfarë përzgjedhje mund të bëhet prandaj nuk është dashur të humbet takimi me Maqedoninë. Unë e “heq kapelën” për lojtarët pasi janë shumë cilësorë dhe duhet mbështetur. Unë jam befasuar si Lirim Kastratit nuk i jepej rasti. Shumë herët kam thënë pse nuk ka minuta ky lojtar dhe ai e dëshmoi këtë ndaj Greqisë. Ka qenë mëkat që ky futbollist u la anash deri tash kur dihet se çfarë forme ka kaluar në këto dy vitet e fundit në Kroaci”, pohoi Kozniku.

Image

“Duhet të ndryshohet trajneri, krerëve të FFK-së nuk dua t’ua përmend emrat”

Tutje, Kozniku vlerëson se FFK duhet që të bëjë ndryshime sa i përket përzgjedhësit.

“Unë shpesh po i dëgjoj krerët e federatës, po me vjen keq dhe nuk po dua t’ua përmend as emrat, pasi as ata nuk po duan ta dëgjojnë emrin tim. E kisha thirr vetëm si “sekletar” (sekretarin e përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihun). Them qëllimisht “sekletar”, sepse kjo federatë po punon me modele të Evropës e të Kroacisë. Ai duhet ta dijë se nuk është as te “thembra e Kroacisë”. Në Kroaci këto humbje rresht të trajnerit nuk ishin duruar. Pra, ose do të dorëhiqej trajneri, ose do ta shkarkonte Federata. Tek ne ndodh e kundërta, i vazhdohet kontrata. Përgjegjës numër një është selektori dhe pastaj federata janë përgjegjës që nuk janë kualifikuar në Evropian. Kur po i them këto fjalë e di që dikush thotë ja ky ka inat. Unë ju them se e dua shumë Kosovën dhe nuk e donë askush më shumë se unë që janë aty. Unë kam ardhur në vitin 1993 kur isha lojtar i Kroacisë dhe Hajdukut te luaj ndeshje miqësore në Shqipëri, pastaj në vitin 1999 ndeshje miqësore në Tetovë, kam ardhur 2002 në Kosovë edhe pse isha pjesë e Kroacisë dhe Dinamos. Kjo mendoj se ka qenë trimni dhe dashuri për vendin. Erolli e dinë shumë mirë këtë dhe e kisha pyet ku ka qenë ai në ato kohëra. Mu po me dhemb që krerët e FFK-së po dalin se janë hero tash e po i harrojnë ato që janë bërë më përpara. Unë kam qenë reprezentues i Kosovës si 13 vjeçar, pra ka ekzistuar edhe atëhërë futbolliKur po i them këto fjalë e di që dikush thotë ja ky ka inat. Unë kam qenë me Kroacinë në kampionatin Botëror në Francë dhe e kemi zënë vendin e tretë, trajner ka qenë Çiro Blazheviq. Ai u bë hero këtu, mori mirënjohje nga të gjitha institucionet duke filluar nga presidenti i shtetit. Në kualifikimet e radhës Kroacia nuk e arriti kualifikimin dhe Blazheviq u largua”, theksoi Kozniku.Image

"Ai ka bërë sukses historik që do të mbahen mend gjithë jetën por në momentin kur nuk u kualifikua në eliminatoret e radhës u largua. Prej vitin 1990 deri tash 13 selektorë janë ndryshuar në Kroaci. Pra ja çka bën Kroacia dhe ku është sot Kroacia, finalist dhe vendi i tretë në Botëror, pesë herë pjesëmarrës në Botëror dhe 4 herë në Evropian dhe janë ndërruar 13 trajnerë. Dalici është finalist me Kroacinë por nëse nuk kualifikohet tash mund të largohet. Ja një rast konkret, Igor Stimac ka qenë trajner para Dalicit te Kroacia, para kualifikimit në Rusi, në ndeshjen e parafundit në grupe ka pësuar humbje nëse nuk gaboj nga Finlanda dhe ai dha dorëheqje dhe kombëtaren e mori Dalic, e fitoi ndeshjen e fundit Dalici dhe shkoi në barazh dhe u kualifikua në Botëror. Pra një ndeshje pa përfunduar ciklusi Stimac u largu erdhi ky dhe u kualifikua. Si te Kosova mu pa larguar para ndeshjes me Maqedoninë, unë i them “Sharlatani”, dhe Kosova mu pa kualifikuar në Evropian. Ky i joni jo që nuk u kualifikua por edhe ia vazhduan kontratën".

“Është e çuditshme kur po i dëgjoj analistët atje duke deklaruar se trajneri duhet duruar ashtu siç po durojnë Arsenali e Liverpooli. Ata duhet ta dinë që ekipi dallon nga reprezentacioni. Aty nuk pritet, aty ka ciklus dhe kush ka sukses vazhdon, kush jo largohet”, vlerësoi Kozniku.

Image

Është gati për Kosovën, edhe këta trajnerë mund ta drejtojnë Kosovën

I pyetur për mundësinë që ta drejtojë Kosovë në të ardhmen, Kozniku u shpreh i gatshëm.

“Kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë gati. Ka trajnerë shumë të mirë shqiptarë si Besnik Hasi, është Kujtim Shala apo Nebih Zeneli që janë trajnerë të shkolluar dhe me licenca. Është turp të thuhet se Kosova nuk ka trajnerë të mirë dhe të shkolluar. Dihet se edhe në Kosovë ka trajner të mirë si Ajet Shosholli e të tjerë. Jam fëmijë i Kosovës, kam kryer gjysmën e karrierës në Kosovë, kam luajtur në një kampionat me 22 milionë banorë, kam qenë trajner i Kroacis U19. Unë “me zor” nuk mund të afrohem në Federatë. Kam kontakte atje më shumë njerëz të mirë të klubeve, kam biseduar edhe me Remzi Ejupin, por këta e thirrin kënd të duan dhe këndë nuk duan.  Unë edhe në Kroaci kam kontakte me shumë njerëz këtu me Bobanin, Sukerin, Bilic e Niko Kovaç me të gjithë kam miqësi dhe i falënderoj që e kanë ndihmuar Kosovën, por këta çuditen se pse nuk ju jepet rasti lojtarëve të mëdhenj shqiptar ta marrin ekipin kombëtar. Përndryshe, jam shumë mirë këtu në Kroaci. Jam me punë te Lokomotiva dhe jam i angazhuar në Federatën e Kroacisë, por Kosovës nuk i them kurrë jo”, ka përfunduar Ardian Kozniku.

Ai është futbollisti i parë shqiptar, i cili ka marrë pjesë në një Kampionat Botëror.

Ish-sulmuesi i mirënjohur me famë ndërkombëtare e fitoi medaljen e bronztë me Kroacinë në Botërorin e organizuar në Francë në vitin 1998.

Image

Gjakovari Kozniku e ka nisur karrierën te Vëllaznimi i Gjakovës në vitin 1979.

Krahas Kroacisë, karrierë ka bërë edhe në Francë, Qipro e Austri.

52-vjeçari tashmë punon në grupmoshat e reja të Kombëtares kroate si dhe ekipin Lokomotiva e Zagrebit.

Kozniku si trajner ka punuar edhe të Shkëndija e Tetovës në edicionin 2014/15. /Zeri.infoImage