Fitorja e Kosovës ndaj Estonisë, Ademi: Krenar me vajzat tona 'Dardane'

Fitorja e Kosovës ndaj Estonisë, Ademi: Krenar me vajzat tona 'Dardane'

Sport September 18, 2020 - 21:21

Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka shënuar një fitore tejet të rëndësishme sonte.

Në kuadër të eliminatoreve për "Euro 2020", skuadra e Afërdita Fazlijës është përballur me Estoninë sonte, shkruan "Zeri.info".

Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin "Fadil Vokrri", "Dardanet" fituan me rezultat të pastër 2:0.

Pas ndeshjes, kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka uruar "Dardanet", derisa është shprehur krenar me paraqitjen e tyre.

Postimi i plotë i Ademit në "Facebook":

"Krenar me vajzat tona Dardane!
Triumfi i sotëm i Kombëtares së Kosovës ndaj Estonisë ishte plotësisht i merituar.
Përgëzoj futbollistet për lojën e shfaqur dhe stafin drejtues të ekipit për përgatitjen e mirë të kësaj ndeshje përkundër mungesave të shumta të futbollisteve që luajnë në klubet evropiane e që nuk kishin mundësi t’i përgjigjeshin ftesës së Kombëtares për shkak të situatës me pandeminë Covid-19.
Fakti që kjo fitore erdhi pikërisht me ekipin e përbërë pothuajse plotësisht me futbollistet që luajnë në kampionatin vendor konfirmon se investimi i Federatës dhe klubeve në zhvillimin e futbollit të femrave po jep fryte.
Gjithsesi, kontribut të jashtëzakonshëm në këtë fitore dhanë edhe dy futbollistet që luajnë në klubet evropiane, Erëleta Memeti dhe Edona Kastrati, të cilat me gjithë peripecitë e mëdha arritën që t’i bashkohen kombëtares.
Edhe një herë urime Dardaneve për këtë sukses.

Vazhdojmë tutje me krenari e përgjegjësi!". /Zeri.info