Boshnjaku: Kampionat më ndryshe, më atraktiv

Boshnjaku: Kampionat më ndryshe, më atraktiv

Sport September 18, 2020 - 21:01

FC Prishtina do ta hap nesër (e shtune) edicionin e ri në Superligën e Kosovës në futboll me një ndeshje ndaj Drenicës në stadiumin "Fadil Vokrri".

Ndeshja e nesërme do të luhet në kryeqytet me fillim nga ora 16:00, derisa kryeqytetasit synojnë ta nisin mbarë edicionin e ri, raporton "Zeri.info".

Kapiteni i ri i FC Prishtinës, Lorik Boshnjaku është optimist para ndeshjes së nesërme, derisa për shiritin e kapitenit ka falënderuar të gjithë për besimin e dhënë.

"Ky kampionat duket më ndryshe dhe më atraktiv se viteve të kaluara, gjithashtu shoh një Prishtinë më të fortë dhe më të mobilizuar në çdo aspekt. Ndeshja me Drenicën si ndeshje e parë e kampionatit e pres të fillojmë me këmbë të mbarë. Por, përballjet me Drenicën nuk janë asnjëherë të lehta. Megjithatë ne jemi të fokusuar maksimalisht që të japim gjithçka nga vetja", deklaroi Boshnjaku.

"Ndërsa, sa i përket shirit të kapitenit, dua të falënderojë të gjithë për besimin e dhënë, pa kursyer askënd. Për mua është privilegj të jem kapiten i ekipit të klubit më të madh në vend. Janë gjashtë vite që jam pjesë e klubit dhe kjo nuk është pak. Tash më e di sa rëndon fanella e ekipit e sidomos ajo e shiritit të kapitenit. E di që e kam mbështetjen e të gjithëve, prandaj me kënaqësi e kam pranuar këtë rol aspak të lehtë dhe shpresoj t'ua shpaguaj besimin", ka thënë kapiteni i ri i skuadrës, Lorik Boshnjaku. /Zeri.info