Infektuar: 58988
Shëruar: 51518
Vdekur: 1479
Llumnica: Mund të ketë pasoja te futbollistët, UEFA ta trajtojë Dritën njejtë si Real Madridin

Llumnica: Mund të ketë pasoja te futbollistët, UEFA ta trajtojë Dritën njejtë si Real Madridin

Sport August 12, 2020 - 17:52

Analisti i mirënjohur kosovar, Ardian Llumnica e ka komentuar vendimin e autoriteteve zvicerane për ndeshjen mes Dritës dhe Linfieldit.

Drita dhe Linfieldi është dashur të përballen dje në Nyon të Zvicrës në kuadër të rundit preliminar të Ligës së Kampionëve, raporton "Zeri.info".

Por, ndeshja në fjalë u anulua pas rasteve pozitive me COVID-19, derisa Llumnica thotë se rregullorja e UEFA-s nuk është përmbushur nga autoritetet zvicerane.

Tutje, Llumnica ka thënë se situata e krijuar mund të krijojë telashe te futbollistët e Dritës.

"Futbollistët mund të përballen edhe me trauma, dhe kjo ndikon në jetën e futbollistëve. Skenari për fitoren me rezultat zyrtar të Linfieldit duhet të ishte i fundit. Nuk është faji i Dritës që dy apo tre futbollistë janë infektuar", deklaroi Llumnica në "Klan Kosova", përcjell "Zeri.info".

"Se a është dashur të zhvillohet diku tjetër turneu, nuk mund të flasim për këtë pasi Zvicra është një shtet me standardin më të lartë në Evropë. Mund të kemi probleme që ndeshja të luhet diku tjetër. Nuk e di se si qëndrojnë punët me vizat, por besoj se UEFA e di këtë problem, një terren neutral si Turqia do të ishte zgjidhja ideale për këtë situatë", deklaroi ai.

"Nuk besoj se UEFA është e përfshirë këtë. Ne mund të mos kemi vlerë për një shtet në Evropë, por ne nuk kemi qëndruar indiferent ndaj COVID-19, dhe masat kanë qenë karshi forcës që ka shteti jonë. Ka pasur raste edhe tek Atletico dhe Barcelona, por rasti ynë ndodhi në Zvicër", potencoi Llumnica.

"UEFA duhet ta trajtojë Dritën si Real Madridi dhe jo si skuadër nga Gjilani dhe njëkohësisht të bëjë zgjidhje", përfundoi ai. /Zeri.info