"Nëse Neymar kushton 200 milionë funte, atëherë Ronaldinhon sot nuk do të mund ta blinte askush"

Sport August 12, 2020 - 16:38

Nëse Neymari ka vlerë prej 200 milionë funtesh, atëherë Ronaldinho do të ishte i paçmim në tregun e sotëm të transferimeve, gjithnjë sipas ish-futbollistit të Gjermanisë, Roberto Hilbert.

Hilbert mendon se Ronaldinho, ish-numri dhjetë i Barcelonës është futbollisti më i mirë me të cilin ai është përballur në karrierën e tij, shkruan "Zeri.info".

Stuttgarti i Hilbertit u përball me Barcelonën në dy raste në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve në edicionin 2007/08 dhe në të dyja rastet humbën.

"Futbollisti më i mirë me të cilin jam përballur ishte Ronaldinho. Për mua, ai është më i miri në histori", tha Hilbert për "Goal".

"Ai ishte i shpejtë, i fuqishëm dhe gjithnjë i lumtur. Nuk luajta mirë ndaj tij në ndeshjen kundër Barcelonës, nuk ishte e lehtë", theksoi gjermani.

"Nëse Neymar kushtoi 200 milionë funte, atëherë mendoj se Ronaldinhon nuk do të mund ta blinte askush sot", shtoi ai. /Zeri.info