Infektuar: 15574
Shëruar: 13492
Vdekur: 625
Dragusha shpreson në rikthimin e Flamurtarit

Dragusha shpreson në rikthimin e Flamurtarit

Sport August 01, 2020 - 15:45

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina do të jetë pa derbi lokal në Superligën e Kosovës në futboll për edicionin 2020/21 pas rënies nga elita të Flamurtarit.

Rënia e Flamurtarit, skuadrës që u drejtua nga Sunaj Keqi edicionin që lamë pas, e ka lënë kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën pa derbi lokal.

Kjo nënkupton se vetëm FC Prishtina, klubi më i madh në vend, do ta përfaqësojë kryeqytetin në elitën e futbollit të Kosovës në edicionin e ardhshëm.

Ndonëse derbi lokal mes FC Prishtinës dhe Flamurtarit nuk ka dhuruar ndonjë spektakël viteve të fundit, si në tribuna ashtu edhe në fushën e gjelbër, prapë se prapë mungesa e një derbi lokal në kryeqytet është e madhe.

Image

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar dhe njohësi i zhvillimeve të futbollit në vend, Muhamet Dragusha ka thënë se pas rikthimit të Flamurtarit në elitë, vite më parë, derbi me FC Prishinës është ngjallur paksa.

"Një derbi lokal i kryeqytetit ka qenë në mungesë, por prej ardhjes së Flamurtarit në Superligë, u zgjua paksa ky derbi edhe pse nuk ishte ai i zjarrti", u shpreh Muhamet Dragusha për "Zeri.info", duke vazhduar:

"Flamurtari ende nuk ishte ai i duhuri, ai rivalizuesi, ai i frikshmi sikur në kohët e vjetra, por përsëri ishte një gjë e mirë pasi kryeqyteti meritonte një derbi të tillë".

Për fund, Dragusha shpreson se skuadra që sot drejtohet nga Jusuf Tortoshi të rikthehet në elitë.

"Shpresoj që Flamurtari të mbledh forcat dhe të rikthehet sa më shpejt në elitë pasi është një klub me histori të pasur", deklaroi të shtunën Muhamet Dragusha. /Zeri.info

Image