Infektuar: 10988
Shëruar: 6616
Vdekur: 373
Skandali me pesë klubet shqiptare, ja kush nuk bën dot merkato pa shlyer detyrimet prej dënimeve nga FIFA

Skandali me pesë klubet shqiptare, ja kush nuk bën dot merkato pa shlyer detyrimet prej dënimeve nga FIFA

Sport August 01, 2020 - 12:26

Futbolli shqiptar në kolaps total! Sezoni 2019-2020 mbyllet nesër me finalen e Kupës, Teuta-Tirana, por muaji që lamë pas prodhoi dy lajme që janë vërtet tronditëse për mënyrën se si punohet në klubet e elitës. Partizani kampion i sezonit 2018-2019 dhe Kukësi nënkampion në fuqi janë zyrtarisht të bllokuar nga FIFA dhe nuk mund të kryejnë dot lëvizje në merkato.

I pari është futur në një histori si në filma, ku madje i kanë dalë garant edhe nga FSHF-ja, ndërsa Kukësi i veshur me një imazh pozitiv sa u përket financave, degradon në betejën me një lojtar kroat për 8 mijë euro e më pas për veprime që nuk justifikohen duhet të paguajë rreth 56 mijë euro që të bëjë merkato këtë verë.

Por, kur në këtë vorbull futen kampionia dhe nënkampionia e sezonit 2018-2019, çfarë mund të presësh nga klubet e tjera që luftojnë për ekzistencë dhe nuk e dinë se sa gjyqe të humbura kanë. Kriza financiare ka pushtuar prej kohësh futbollin tonë, por tashmë klubet konfirmojnë se vuajnë tmerrësisht edhe nga ana juridike. Gjyqet e humbura në FIFA me lojtarë dhe trajnerë, kryesisht të huaj, dëshmojnë se në çfarë situatë katastrofike janë ekipet shqiptare, madje edhe ato që synojnë të marrin pjesë në kompeticionet e UEFA-s. Mosrespektimi i kontratave nuk është diçka që ndodh sot, pasi ka qenë prezent prej kohësh në futbollin tonë, por ama nuk ka ndodhur kurrë që pesë klube njëherësh të jenë të dënuara.

“Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta në institucionin e futbollit shqiptar se krahas Partizanit dhe Kukësit, për momentin nuk mund të bëjnë asnjë lëvizje në merkato edhe dy klubet e rëna nga Kategoria Superiore këtë sezon: Flamurtari dhe Luftëtari. E njëjta gjë edhe për skuadrën e Kategorisë së Parë, Turbina. Vendime të formës së prerë nga FIFA vazhdojnë të vijnë, por sot është e vështirë që të presësh transparencë nga klubet.