Guardiola godet rivalët, UEFA-n dhe presidentin e La Ligës pas vendimit të CAS-it

Guardiola godet rivalët, UEFA-n dhe presidentin e La Ligës pas vendimit të CAS-it

Sport July 14, 2020 - 16:25
Lajmet e fundit nga sporti

Pep Guardiola ka sulmuar rivalët e Manchester Cityt, UEFA-n dhe presidentin e La Ligës, Javier Tebas, pas vendimit të CAS-it për ta hedhur poshtë suspendimin dy-vjeçar të ekipit të tij nga garat evropiane, transmeton “Zeri.info”.

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) gjeti se nuk ka prova të mjaftueshme përfundimtare për dënimin e plotë të Cityt nga UEFA, derisa gjoba prej 30 milionë eurosh u reduktua në 10 milionë.

“Neve duhet të na kërkohet falje”, ka thënë Guardiola.

“Ne kemi të drejtën për ta mbrojtur veten kur ne besojmë se ajo që kemi bërë ka qenë e drejtë. Tre gjyqtarë e thanë këtë. Ishte një ditë e mirë për futbollin sepse ne luajmë me të njëjtat rregulla si të gjitha klubet në Evropë. Nëse do t’i kishim thyer rregullat, do të ishim dënuar”, shtoi strategu spanjoll.

“E di se klubet elitare – Liverpoo, United, Arsenal – nuk janë rehat që jemi aty. Por, ne e meritojmë të jemi këtu dhe nuk kemi nevojë të kërkojmë leje për të qenë aty. Ne kemi investuar shumë para, por ne e kemi bërë në mënyrën e drejtë”, u shpreh ish-trajneri i Bayern Munichut dhe Barcelonës.

Duke folur për kritikat e presidentit të La Ligës, Guardiola tha: “Ai është një tjetër. Ky njeri duhet të jetë shumë xheloz për Premierligën dhe futbollin anglez. Ai është një ekspert ligjor i jashtëzakonshëm, herën tjetër ne do t’i pyesim ata se cila gjykatë duhet na gjykojë neve”./Zëri