“Drita më e favorizuar për titull, por ende nuk ka mbaruar asgjë”, Genc Sermaxhaj analizon xhirot e mbetura në Superligë

“Drita më e favorizuar për titull, por ende nuk ka mbaruar asgjë”, Genc Sermaxhaj analizon xhirot e mbetura në Superligë

Sport July 14, 2020 - 12:11

Kur kanë mbetur edhe tri xhiro për t'u zhvilluar deri në fund të edicionit aktual në Superligën e Kosovës, tri skuadra po luftojnë "me mish e me shpirt" për titullin kampion.

Pas eliminimit të FC Prishtinës nga gara për titull, Drita, Ballkani dhe Gjilani janë tri skuadrat që po luftojnë për titullin e kampionit këtë edicion, raporton "Zeri.info".

Pas 30 javësh, Drita renditet në vendin e parë me 65 pikë të tubuara, derisa ndiqet nga Ballkani në vendin e dytë, që ka tubuar deri më tani 62 pikë, kurse Gjilani ka një pikë më pak në vendin e tretë.

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar dhe trajneri i Dritës U-19, Genc Sermaxhaj, në një bisedë me "Zeri.info" vlerëson se Drita është më e favorizuar për të marrë titullin këtë edicion.

Image

"Drita, Gjilani dhe Ballkani tashmë janë skuadrat e mbetura për garën e titullit, të cilat kanë mbetur t'i zhvillojnë ndeshjet e ndërsjellta dhe të përfundojnë edicionin. Gjithsesi Drita është më e favorizuar për t'u shpallur kampion pasi gjendet në vendin e parë dhe me pikë të mjaftueshme ka komoditet kundrejt Gjilanit dhe Ballkanit", deklaroi fillimisht Sermaxhaj për "Zeri.info".

Tutje, Sermaxhaj mendon se ende nuk është "vulosur" asgjë, derisa thekson se Gjilani dhe Ballkani lëshuan pikë të rëndësishme pas rikthimit të futbollit kosovar, i cili u pezullua për rreth tre muaj shkaku i pandemisë COVID-19.

"Ende nuk ka mbaruar asgjë sepse në ndeshjet e mbetura Drita duhet të marrë rezultate pozitive. Gjilani dhe Ballkani pas rifillimit të kampionatit lëshuan pikë të rëndësishme me kundërshtarë të lehtë dhe tashmë kjo po iu kushton. Por, lufta për vend të dytë mund të jetë e hapur për këto dy skuadra që dërgon në Evropë, poashtu për Dritën nëse dështon të marrë rezultate pozitive në vazhdim", theksoi trajneri i grupmoshave U-19 të Dritës.

Image

Për fund, Genc Sermaxhaj thotë se Drita me plot meriton e kryeson sot renditjen tabelore në elitën e futbollit kosovar.

"Drita u dëshmua për cilësinë që ka edhe në ndeshjen ndaj FC Prishtinës dhe me plot meritë kryeson tabelën. Ndërsa Ballkani vazhdimisht ka bërë lojën ndër më të mirat në kampionat, por që nuk arriti të vazhdojë me fitore të plota", përfundoi të martën për "Zeri.info" Genc Sermaxhaj. /Zeri.info