Katër arsyet e forta për ta përcjellë përfundimin e Superligës së Kosovës

Katër arsyet e forta për ta përcjellë përfundimin e Superligës së Kosovës

Sport July 01, 2020 - 20:07

Duke u bazuar në rrjedhën e edicionit aktual në Superligën e Kosovës, “Zeri.info” jua sjell disa nga arsyet se pse duhet ta përcillni kampionatin elitar kosovar në ndeshjet e mbetura të këtij kampionati

As pas tre muajsh pauzë shkaku i pandemisë COVID-19 nuk u ndal ritmi dhe intensiteti, që është duke e ofruar ky edicion në Superligën e Kosovës në futboll.

Në verën e vitit të kaluar skuadrat elitare kosovare u përforcuan si asnjëherë më parë dhe kjo bëri që konkurrenca të rritej në kampionat dhe të zhvillohej një “luftë” e madhe për titull, si dhe në pjesën e poshtme të tabelës, raporton “Zeri.info”.

Në mes të muajit mars “shpërtheu” pandemia COVID-19 në Kosovë, gjë e cila bëri që Superliga e Kosovës të pauzojë për rreth tre muaj – deri në fillim të muajit qershor.

Kur të gjithë prisnin që të binte ritmi, një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi gara për titull dhe për mbijetesë veç çka është bërë edhe më interesante, teksa po luhen ndeshje të forta.

Kur janë zhvilluar 27 xhiro në krye të tabelës në luftën për titull janë katër skuadra – Drita, FC Prishtina, Ballkani dhe Gjilani.

Duke u bazuar në rrjedhën e edicionit aktual në Superligën e Kosovës, “Zeri.info” jua sjell disa nga arsyet se pse duhet ta përcillni kampionatin elitar kosovar në ndeshjet e mbetura të këtij kampioni.

Gara “e nxehtë” për titull

Tashmë kanë kaluar 27 ndeshje të këtij edicioni në kampionatin elitar kosovar, derisa kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje deri në fund.

Image

Katër skuadra po luftojnë me “mish e me shpirt” që të shpallen kampion, Drita, FC Prishtina, Ballkani dhe Gjilani. ]Momentalisht Drita është lider me 58 pikë të tubuara, FC Prishtina e dyta me 54 sosh, kurse Ballkani zë vendin e tretë me 53 pikë, ndërkaq Gjilani në vendin e katërt me një më pak – 52 pikë.

Image

Gjithashtu, në javën e ardhshme na presin edhe ndeshje fenomenale, Feronikeli luan ndaj Gjilanit dhe Llapi ndaj Dritës.

Gjithashtu edhe në javët e ardhshme do të zhvillohen ndeshje tjera derbi si Ballkani – Llapi, Gjilani – FC Prishtina, FC Prishtina – Drita, Ballkani – FC Prishtina, Drita e Gjilani e shumë ndeshje të tjera.

“Jetë a vdekje” për mbijetesë

Dukagjini i Klinës dhe Vushtrria janë dy skuadrat që zyrtarisht janë dorëzuar për mbijetesë dhe nga edicioni 2020/21 do të garojnë në Ligën e Parë të futbollit kosovar.

Megjithatë, duke marrë parasysh faktin se edhe dy skuadra do të bien nga elita, në këtë drejtim ka konkurrencë bukur të madhe.

Image

Ferizaj, Trepça ’89, Drenica dhe Flamurtari janë katër skuadrat që janë në konkurrencë me njëra-tjetrën, derisa diferenca e tyre e pikëve në tabelë është mjaft e vogël.

Image

Ferizaj është skuadra më e rrezikuar, duke u renditur në pozitën e dhjetë me 26 pikë, e pasuar nga Trepça ’89, ish-kampion i Kosovës para pak vitesh, që ndodhet në vendin e nëntë me 31 pikë.

Drenica dhe Flamurtari i kanë punët më mirë pasi ndodhen jashtë zonës së rrezikshme – në vendin e tetë, respektivisht të shtatë – por me një diferencë të vogël pikësh – 35, respektivisht 36.

Image

Pa dyshim, ndeshjet në javët e ardhshme do të vulosin gjithçka për fatin e tyre këtë edicion dhe “lufta” në fushë pritet të jetë më e nxehtë se kurrë.

Dalja në Evropë

Këtë vit tri skuadra kosovare do të luajnë në garat evropiane, gjë çka e bën konkurrencën edhe më të fortë mes tyre.

Derisa vitin e kaluar turneu parakualifikues në Ligën e Kampionëve ishte mbajtur në Prishtinë, kësaj radhe do të mbahet në Nyon të Zvicrës.

Në këtë kompeticion do të marrë pjesë kampioni i këtij edicioni në Superligën e Kosovës.

Nga ana tjetër, dy skuadra tjera kosovare do të marrin pjesë në fazën paraeliminatore në Ligën e Evropës – skuadra e renditur në vendin e dytë në Superligën e Kosovës, si dhe fituesi i Kupës së Kosovës.

Në finalen e Kupës së Kosovës këtë vit përballen FC Prishtina dhe Ballkani, në një ndeshje e cila pritet të jetë e “zjarrtë” dhe që zhvillohet në fund të këtij muaji në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Natyrisht, skuadrat elitare kosovare prej pranimit në UEFA dhe në FIFA e kanë pasur ambicie daljen në Evropë për shkak të të ardhurave të majme që arkëtojnë nga pjesëmarrja.

Image

Këtë edicion pretendues për dalje në Evropë nga Kosova janë Drita, FC Prishtina, Ballkani dhe Gjilani.

Talentet e Superligës

Si gjithmonë, edhe ky edicion në Superligën e Kosovës ka vënë në pah një numër të madh të talenteve.

Numri i madh i talenteve që kanë potencial transferimin jashtë Kosovës është një arsye shtesë për ta shikuar Superligën e Kosovës këtë edicion.

Image

Te Ballkani në krye me trajnerin Ismet Munishi këtë edicion ka bërë bujë të madhe treshja Blendi Baftiu, Jetmir Topalli dhe Arbër Hoxha, të cilët kanë zgjuar menjëherë interesim në Evropë.

Përveç tyre, futbollistë të talentuar posedon edhe FC Prishtina me Meriton Korenicën, Visar Bekaj dhe Qëndrim Zyba, të cilët kanë shkëlqyer këtë edicion.

Këtë edicion kanë shkëlqyer edhe talentet si Valmir Veliu dhe Hajdin Salihu te Llapi, si dhe Arb Manaj dhe Milot Avdyli te Trepça ’89. /Zeri.info