Edhe hendbolli mposht pandeminë, caktohen ndeshjet e Play-offit
Të shtunën në mesditë është tërhequr shorti për gjysmëfinale të ‘plejofit’ në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Kampioni aktual, Istogu, në ndeshjen e parë gjysmëfinale do të jetë mysafir i Prishtinës. Ndeshja Prishtina – Istogu luhet më 13 apo 14 qershor. Istogu do të jetë vendas në ndeshjen e dytë.
Prishtina – Istogu është gjysmëfinalja e dytë e plejofit.
Në gjysmëfinalen e parë takohen Ferizaj e Vushtrria. Në Ferizaj luhet ndeshja e parë më 13 apo 14 qershor, kurse tri ditë më vonë Vushtrria luan si vendase.
Të kujtojmë që Bordi i FHK-së ka vendosur që kampioni në Superligën e femrave të përcaktohet përmes plejofit, pas ndërprerjes së edicionit për shkak të pandemisë së koronavirusit. Pasi Istogu, Vushtrria, Prishtina e Ferizaj kishin pikë të barabarta, nga 22, është vendosur që përmes shortit të përcaktohen çiftet gjysmëfinale.