Batatina është gati për kryetar të FFK-së: Nëse më kërkohet, mund ta vazhdoj rrugën e legjendës Fadil Vokrri

Batatina është gati për kryetar të FFK-së: Nëse më kërkohet, mund ta vazhdoj rrugën e legjendës Fadil Vokrri

Sport June 04, 2020 - 19:44

Federata e Futbollit e Kosovës të mërkurën e ka pranuar një lajm aspak të mirë në lidhje me presidentin Agim Ademi. 

Gjykata e Apelit ka konfirmuar dënimin prej 9 muajsh burgim për njeriun e parë të futbollit kosovar.

Agim Ademi ishte shpallur fajtor për veprën penale të detyrimit në tentativë, nga neni 267 paragrafi 2, lidhur më paragrafin 1, lidhur me nenin 20 dhe 23 të Kodit Penal të Kosovës (KPK).

Sipas aktakuzës, Agim Ademi dhe Muharrem Rama gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke e detyruar atë të bënte veprime në dëm të pasurisë së tij, përkatësisht të bënin përfitim të padrejtë në shumën prej 30.000.00 eurosh, apo një veturë të tipit “BMË X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Ademi sipas një urdhërese, duhet që brenda dy-javësh të paraqitet për ta kryer dënimin. 

Image

Ndryshe, nëse FFK shkon në zgjedhje, "Zeri.info" e ka mësuar një kandidat të mundshëm për kryetar. 

Trajneri dhe donatori i klubit të Llapit, Tahir Batatina thotë se është gati që t'i marr në dorë "frenat" e futbollit nëse një gjë e tillë i kërkohet. 

"Gjithçka do të jetë në koordinim me klube dhe njerëz që janë rreth futbollit. Ata do ta thonë fjalën kryesore dhe nëse komuniteti sportiv e vlerëson se unë duhet ta udhëheq FFK-në, unë gjithmonë do të jem gati që ta vazhdoj rrugën e legjendës Fadil Vokrri. Ende nuk ka diçka konkrete nga sekretari i FFK-së (Eroll Salihu) rreth situatës së krijuar. Nuk duhet të shkojmë tash e tutje duke vjedhur poste dhe pozita, por duke shpalosur programe për të ardhmen e futbollit. Duhet të shpalosim programe të sinqerta dhe serioze para klubeve dhe komunitetit sportiv", ka thënë Tahir Batatina për "Zeri.info".

Batatina dhe familja e tij tash e disa vite kanë dhënë shumë për futbollin kosovar duke ndarë miliona euro nga pasuria e tyre për ta ngritur Llapin në majat e futbollit kosovar.

Muaj më parë, kandidat tjetër për postin e kryetarit të FFK-së më parë është paraqitur edhe Arianit Ahmeti, ish-zëvendës/sekretar në FFK, e i cili u largua nga ky post me pretekstin është vetëkandiduar për kryetar të FFK-së si dhe ka kërkuar nënshkrime nga delegatët e kuvendit, me çka dëmtoi imazhin e FFK-së dhe të futbollit të Kosovës, si dhe shkeli rëndë kodeksin e mirësjelljes. /Zeri.info