Zeqiri: Orari i ngjeshur detyrimisht do të lërë pasoja te futbollistët

Zeqiri: Orari i ngjeshur detyrimisht do të lërë pasoja te futbollistët

Sport June 01, 2020 - 23:55

Pas një pauze prej më shumë se dy muaj shkaku i pandemisë Covid-19, skuadrat elitare do t'i rikthehen fushës së gjelbër këtë javë, me një orar më të ngjeshur si asnjëherë më parë.

Derisa Federata e Futbollit të Kosovës anuloi garat tjera të futbollit vendosur, Superliga do të vazhdojë, poashtu edhe Kupa e Kosovës, raporton "Zeri.info".

Nesër luhet ndeshja e parë pas pauzës me pandemi, ku në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, përballen FC Prishtina dhe Drenica, të mërkurën luajnë Ballkani dhe Feronikeli, kurse në fundjavë rinis edicioni në Superligë.

Afati i vendosur nga UEFA në drejtim të FFK-së për mbylljen e këtij edicioni është 20 korriku, që i bie se është një periudhë prej më shumë se një muaj e gjysmë ku skuadrat elitare kosovare do të duhet t'i mbyllin garat.

Natyrisht, kjo skuadrat do të detyrohen të luajnë me një orar të ngjeshur të ndeshjeve, gjë e cila mund të jetë problematike dhe mund të lë pasoja në gjendjen fizike të futbollistëve që luajnë në Kosovë.

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar dhe njohësi i zhvillimeve në futbollin vendor, Arben Zeqiri duke e komentuar çështjen në fjalë, ka thënë se orari i ngjeshur do të lë pasoja te futbollistët.

"E kam thënë edhe më parë se orari i ngjeshur detyrimisht do të lë pasoja te futbollistët, produktiviteti i tyre në fushë, vazhdimësia dhe stabiliteti i formës do të jenë përcaktues në rezultatet e skuadrës", ka thënë fillimisht Arben Zeqiri për "Zeri.info".

Zeqiri mendon se trajnerët do të duhen t'i provojnë rotacionet në vijim të kampionatit, teksa thotë se titullin kampion do ta përcaktojnë faktorët e sipërpërmendur.

"Trajnerët varësisht fondit të futbollistëve, do të duhej të praktikojnë sistemin e rotacioneve për të pasur në dispozicion futbollistët gjithmonë të freskët. Se kush do të jetë kampion, përcaktues do të jenë faktorët e sipërpërmendur dhe futbollistët cilësor që aktualisht trajnerët kanë në gatishmëri", tregon më tej Zeqiri, i cili është edeh trajner në një shkollë futbolli në Gjilan.

Sa i përket skuadrave që synojnë titullin kampion dhe daljen në Evropë - Ballkani, Drita, Gjilani dhe FC Prishtina - Zeqiri thotë se përcaktuese do të jenë ndeshjet mes vete.

"Katër skuadrat pretendente për titull, Ballkani, Drita, Gjilani dhe Prishtina do të synojnë titullin dhe daljen në Evropë me çdo kusht, andaj përcaktuese do të jenë ndeshjet mes këtyre skuadrave dhe përparësia e terrenit vendas kësaj radhe do t'i jepet Gjilanit që nga 11 ndeshje, shtatë i ka si vendas", theksoi Zeqiri, njëherit magjistër i futbollit.

"Gjithashtu, kjo garë do të varet edhe nga paraqitjet e Feronikelit dhe Llapit, teksa kjo puna e pesë zëvendësimeve mund të ndikojë për keq te skuadra që është duke e humbur ndeshjen sepse ajo që është duke fituar, i konvenon rezultati dhe i bën ndryshimet dhe e vjedh kohën", përfundoi të hënën Arben Zeqiri për "Zeri.info". /Zeri.info