Infektuar: 5118
Shëruar: 2370
Vdekur: 108
Orari i ngjeshur shkakton frikë te skuadrat para rikthimit të futbollit kosovar

Orari i ngjeshur shkakton frikë te skuadrat para rikthimit të futbollit kosovar

Sport June 01, 2020 - 19:52

Futbolli elitar kosovar rikthehet këtë javë, fillimisht me ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, e më pas me ndeshjet e Superligës. Orari i ndeshjeve do të jetë i ngjeshur për skuadrat, që e cila mund të sjellë telashe te futbollistët. Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, futbollisti i Ballkanit, Kushtrim Gashi dhe analisti Arben Zeqiri shohin vështirësi në vijim të kampionatit për shkak të ndeshjeve të shpeshta të skuadrave

Image

Pas një pauze prej më shumë se dy muaj shkaku i pandemisë Covid-19, skuadrat elitare do t'i rikthehen fushës së gjelbër këtë javë, me një orar më të ngjeshur si asnjëherë më parë.

Derisa Federata e Futbollit të Kosovës anuloi garat tjera të futbollit vendosur, Superliga do të vazhdojë, poashtu edhe Kupa e Kosovës, raporton "Zeri.info".

Nesër luhet ndeshja e parë pas pauzës me pandemi, ku në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, përballen FC Prishtina dhe Drenica, të mërkurën luajnë Ballkani dhe Feronikeli, kurse në fundjavë rinis edicioni në Superligë.

Image

Afati i vendosur nga UEFA në drejtim të FFK-së për mbylljen e këtij edicioni është 20 korriku, që i bie se është një periudhë prej më shumë se një muaj e gjysmë ku skuadrat elitare kosovare do të duhet t'i mbyllin garat.

Natyrisht, kjo skuadrat do të detyrohen të luajnë me një orar të ngjeshur të ndeshjeve, gjë e cila mund të jetë problematike dhe mund të lë pasoja në gjendjen fizike të futbollistëve që luajnë në Kosovë.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, mesfushori i Ballkanit, Kushtrim Gashi dhe analisti i mirënjohur kosovar, Arben Zeqiri shohin vështirësi te orari i ngjeshur me ndeshje, derisa mendojnë se kjo mund të sjellë probleme për futbollistët.

Nuhiu: Është për t'u shqetësuar kjo situatë, por duhet të kemi kujdes

Trajneri i Dritës së Gjilanit, Ardian Nuhiu në një bisedë me "Zeri.info" e sheh shqetësues faktin për orarin e ngjeshur të skuadrave kosovare, derisa shpreson në kujdes maksimal.

Image

"Patjetër se është për t'u shqetësuar dhe duhet treguar kujdes të madh gjatë kësaj faze, sepse realisht ka qenë periudhë e shkurtë për të hyrë në kampionat", u shpreh trajneri shkupjan.

Tutje, Nuhiu uron që futbollistët të mos pësojnë lëndime për shkak të intensitetit maksimal në vijim të kampionatit.

"Kemi qenë të kujdesshëm edhe gjatë fazës përgatitore, por duhet treguar jashtëzakonisht kujdes të madh në kampionat. Uroj që të mos ndodhin lëndime gjatë kampionatit ku e dimë se do të kemi një orar mjaft të ngjeshur", përfundoi të hënën Ardian Nuhiu për "Zeri.info".

Image

"Orari është i ngjeshur, futbolli nuk do të jetë cilësor"

Mesfushori i Ballkanit, Kushtrim Gashi ishte njëri prej futbollistëve më të mirë të "Xhebrailave" këtë edicion nën komandën e trajnerit Ismet Munishi.

Gashi i cili e synon titullin kampion me Ballkanin këtë edicion, mendon se në xhiron e pestë pas rikthimit të futbollit, skuadrat "do të kapin ritmin e duhur".

"Futbolli është rikthyer, por unë mendoj që nuk do të jetë shumë cilësor sikur ishte më parë pasi që orari do të jetë shumë i ngjeshur. Duhet pritur deri në xhiron e pestë që skuadrat ta kapin ritmin e duhur dhe përgatitjen e duhur fizike", u shpreh Kushtrim Gashi për "Zeri.info".

Gashi mendon se "rregulli" i ri që ua lejon skuadrave të kryejnë pesë zëvendësime në një ndeshje, do të jetë sado pak një ndihmë në këtë periudhë.

Image

"Do të kemi ndeshje çdo tre ditë, ngarkesat do të jenë të pranishme te secila skuadër, por shpresoj që të mos ketë lëndime të rënda për asnjë futbollistë. Mendoj që kjo do të përballet sado pak me mundësinë e pesë zëvendësimeve dhe me rotacionet e trajnerëve nga ndeshja në ndeshje", theksoi mesfushori i liderit të Superligës së Kosovës.

Analiza e Arben Zeqirit

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar dhe njohësi i zhvillimeve në futbollin vendor, Arben Zeqiri duke e komentuar çështjen në fjalë, ka thënë se orari i ngjeshur do të lë pasoja te futbollistët.

"E kam thënë edhe më parë se orari i ngjeshur detyrimisht do të lë pasoja te futbollistët, produktiviteti i tyre në fushë, vazhdimësia dhe stabiliteti i formës do të jenë përcaktues në rezultatet e skuadrës", ka thënë fillimisht Arben Zeqiri për "Zeri.info".

Zeqiri mendon se trajnerët do të duhen t'i provojnë rotacionet në vijim të kampionatit, teksa thotë se titullin kampion do ta përcaktojnë faktorët e sipërpërmendur.

"Trajnerët varësisht fondit të futbollistëve, do të duhej të praktikojnë sistemin e rotacioneve për të pasur në dispozicion futbollistët gjithmonë të freskët. Se kush do të jetë kampion, përcaktues do të jenë faktorët e sipërpërmendur dhe futbollistët cilësor që aktualisht trajnerët kanë në gatishmëri", tregon më tej Zeqiri, i cili është edeh trajner në një shkollë futbolli në Gjilan.

Image

Sa i përket skuadrave që synojnë titullin kampion dhe daljen në Evropë - Ballkani, Drita, Gjilani dhe FC Prishtina - Zeqiri thotë se përcaktuese do të jenë ndeshjet mes vete.

"Katër skuadrat pretendente për titull, Ballkani, Drita, Gjilani dhe Prishtina do të synojnë titullin dhe daljen në Evropë me çdo kusht, andaj përcaktuese do të jenë ndeshjet mes këtyre skuadrave dhe përparësia e terrenit vendas kësaj radhe do t'i jepet Gjilanit që nga 11 ndeshje, shtatë i ka si vendas", theksoi Zeqiri, njëherit magjistër i futbollit.

"Gjithashtu, kjo garë do të varet edhe nga paraqitjet e Feronikelit dhe Llapit, teksa kjo puna e pesë zëvendësimeve mund të ndikojë për keq te skuadra që është duke e humbur ndeshjen sepse ajo që është duke fituar, i konvenon rezultati dhe i bën ndryshimet dhe e vjedh kohën", përfundoi të hënën Arben Zeqiri për "Zeri.info". /Zeri.info

Image