Plepolli: Rivaliteti do të jetë i madh, si për titull ashtu edhe për mbijetesë

Plepolli: Rivaliteti do të jetë i madh, si për titull ashtu edhe për mbijetesë

Sport May 31, 2020 - 23:58

Java e ardhshme shënon rikthimin e futbollit të Kosovës pas më shumë se dy muajsh mungesë, raporton "Zeri.info".

Të martën zhvillohet gjysmëfinalja e parë e Kupës së Kosovës mes FC Prishtinës dhe Drenicës, teksa të mërkurën, Ballkani e pret Feronikelin.

Ndërkaq, në fundjavë, rikthehet Superliga e Kosovës, me disa ndeshje interesante, nga java e 23-të.

Ndihmës-trajneri i Flamurtarit, Arsim Plepolli dhe njohësi i futbollit vendor, ka thënë se "rivaliteti do të jetë i madh" në vazhdim të kampionatit.

"Do të jetë e vështirë për skuadrat. Ka pasur një pauzë që nuk e mbaj mend asnjëherë. Do të ketë rivalitet të madh, si për titull, ashtu edhe për mbijetesë", u shpreh Plepolli në "Dueli Sportiv", përcjell "Zeri.info".

"Na gëzon fakti që do të rinis edicioni. Ballkani ka qenë në superformë dhe e meriton vendin e parë, por do t'i ketë mbrapa vetes rivalët", tregon më tej "numri dy" i Flamurtarit.

"Shpresoj që fillimisht të kalojmë pa lëndime, mendoj se pas javësh, do ta shohim formën e futbollistëve, pasi ngarkesa ka qenë e madhe", tha Arsim Plepolli.

"Le të ketë kampionat fair-play dhe t'i zgjasim dorën njëri-tjetrit në fund. Dashtë Zoti të mos kemi më këso situata me pandemi", shtoi ai. /Zeri.info