Afati i Inspektoriatit të Punës për FFK-në, Arianit Ahmeti në pritje: Eroll Salihu mund të dënohet me burg për shkak të keqpërdorimit të pozitës zyrtare

Afati i Inspektoriatit të Punës për FFK-në, Arianit Ahmeti në pritje: Eroll Salihu mund të dënohet me burg për shkak të keqpërdorimit të pozitës zyrtare

Sport May 31, 2020 - 19:04

Janë bërë saktësisht dhjetë ditë prej kur Inspektoriati i Punës gjeti shkelje në vendimin e krerëve të Federatës së Futbollit të Kosovës për ta liruar nga detyra e zëvendës/sekretarit Arianit Ahmetin.

Ahmeti ishte pushuar nga puna në dhjetor të vitit të kaluar pak pasi shpalli kandidaturën e tij për të parin e shtëpisë më të madhe të futbollit kosovar, raporton "Zeri.info".

Saktësisht, Ahmeti insistonte se kryetari aktual Agim Ademi ka mandat dy-vjeçar, derisa thoshte se zgjedhjet në FFK do të mbaheshin në fillim të këtij viti, por një gjë e tillë nuk ndodhi, dhe Federata e Futbollit të Kosovës duke pretenduar në shkelje të statutit nga Ahmeti, e pushoi atë nga puna.

Image

I njejti u ankua në Inspektoriatin e Punës, dhe para dhjetë ditësh, konkretisht më 21 maj, ishte bërë e ditur se ai e ka fituar këtë betejë ligjore kundrejt FFK-së, për t'u rikthyer në vendin e tij të punës.

Ndonëse kishte tetë ditë afat për t'iu përmbajtur sygjerimeve të Inspektoriatit të Punës, ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës në lidhje me këtë çështje.

Image

Nga ana tjetër, Arianit Ahmeti në një prononcim për "Zeri.info" ka thënë se dita e premte ishte e fundit kur FFK-ja duhej t'iu përmbahej sygjerimeve, por që ai thotë se ende nuk e di se çfarë hapa janë ndërmarrë.

"Deri të premten ka qenë dita e fundit e FFK-së t'iu përmbahet sygjerimeve të Inspektoriatit të Punës, unë nuk e di se çfarë kanë ndërmarrë", ka thënë Arianit Ahmeti për "Zeri.info".

Tutje, Ahmeti, dikur ish-futbollist, thotë se me njoftim-vendimin e marrë nga FFK-ja, Sekretari i Përgjithshëm, Eroll Salihu rrezikon të përballet me drejtësinë për shkak të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

"Më 28 maj, FFK-ja më ka një njoftim-vendim me të cilin më është njohur e drejta ime për të cilën jam ankuar në IP, si dhe me paralajmërim më kanë njoftuar se më kanë ndërprerë mardhënien e punës nga 28 qershori i këtij viti. Me të njejtën arsye të cilat IP i ka konsideruar se nuk përbëjnë asnjë shkelje, kjo i bie që ky vendim është në kundërshtim të plotë me vendimin e IP-së, ligjin e punës, aktet e brendshme të FFK-së dhe Kushtetutën e Kosovës", thotë më tej Ahmeti, duke shtuar:

Image

"Me këtë, sekretari (Eroll Salihu) për mos zbatim të vendimeve të instuticioneve të Kosovës, rrezikon seriozisht të përballet me drejtësinë - kallëzim penal - keqpërdorim i detyrës zyrtare, e cila është e dënueshme sipas Kodit Penal, neni 433, nga një deri në tetë vite burg", përfundoi të dielën Arianit Ahmeti për "Zeri.info".

Image

Ndryshe, "hallakamat" në Federatën e Futbollit të Kosovës nisën që nga viti i kaluar, derisa disa klube elitare kosovare e më gjerë janë të pakënaqura me punën e Agim Ademit në krye të shtëpisë më të madhe të futbollit kosovar. /Zeri.info