Mungesa e miqësoreve, mangësia e skuadrave kosovare para vazhdimit të garave

Mungesa e miqësoreve, mangësia e skuadrave kosovare para vazhdimit të garave

Sport May 31, 2020 - 17:41

Po bëhen gati tre muaj prej kur skuadrat elitare kosovare të futbollit nuk kanë zhvilluar asnjë ndeshje. Vetëm me disa përgatitje, ato do t'i rikthehen fushave të gjelbëra javën e ardhshme. Futbollisti Ardian Limani, trajneri Tahir Lushtaku dhe analisti Genc Sermaxhaj kanë thënë për "Zeri.info" se e shohin problematik faktin se skuadrat nuk kanë arritur ta luajnë ndonjë ndeshje miqësore në këtë periudhë

Image

Pas një pauze gati për tre muaj shkaku i pandemisë Covid-19, futbolli elitar kosovar do të rikthehet në javën e ardhshme, fillimisht me ndeshjet e Kupës së Kosovës, e më pas me ndeshjet e Superligës.

Pandemia Covid-19 detyroi autoritetet kosovare të pezullojnë garat sportive në Kosovë, përfshirë edhe futbollin, derisa tashmë skuadrat janë rikthyer në stërvitje dhe janë duke i bërë përgatitjet e fundit për vazhdimin e garave, raporton "Zeri.info".

Fillimisht, më 2 qershor zhvillohet gjysmëfinalja e parë e Kupës së Kosovës në "Fadil Vokrri" mes FC Prishtinës dhe Drenicës, teksa një ditë më vonë, Ballkani e pret Feronikelin në kuadër të kësaj gare.

Image

Kësisoj, skuadrat kosovare do të futen direkt në ndeshjet zyrtare, pa zhvilluar ndonjë miqësore kontrolluese, praktikë që zakonisht e përdorin shumë gjatë përgatitjeve para-sezonale apo edhe në përgatitjet dimërore.

Image

Futbollisti i Dritës, Ardian Limani, trajneri Tahir Lushtaku dhe analisti Genc Sermaxhaj mendojnë se mungesa e ndeshjeve kontrolluese në këtë periudhë është mangësi e madhe për skuadrat elitare të futbollit në Kosovë.

Limani: Miqësoret, mangësia e kësaj faze

Mbrojtësi dhe kapiteni i Dritës së Gjilanit, Ardian Limani mendon se jo vetëm që skuadrave do t'iu mungojnë ndeshjet miqësore, por sipas tij edhe koha për përgatitje ka qenë e vogël.

"Jo vetëm ndeshjet miqësore, por edhe koha për përgatitje nuk ka qenë e mjaftueshme sa duhet. Mirëpo meqenëse jemi në kohë pandemie dhe edhe si klubet tjera duhet të sakrifikojmë, sepse nuk kanë mbetur shumë ndeshje. Miqësoret padyshim se do të jetë mangësia e kësaj faze", u shpreh Ardian Limani për "Zeri.info".

Image

Tutje, duke folur për gjendjen fizike të futbollistëve të skuadrës së drejtuar nga Ardian Nuhiu, Limani thotë se Drita është e gatshme t'i vazhdojë ndeshjet kampionale.

"Ne e kemi praktikuar një test që pak a shumë është pasqyrë e përgatitjes fizike dhe kemi rezultuar shumë mirë, që do të thotë se të gjithë kemi punuar individualisht dhe se tani jemi të gatshëm t'i qasemi ndeshjeve kampionale", theksoi kapiteni i Dritës.

"Disa skuadra do të kenë telashe të mëdha"

"Ishi" i Drenicës dhe trajneri i mirënjohur kosovar, Tahir Lushtaku në një bisedë me "Zeri.info" ka thënë se pa ndeshje kontrolluese, skuadrat kosovare do ta kenë të vështirë t'i vazhdojnë garat.

"Unë mendoj se do të jetë shumë vështirë që skuadrat ta rinisin kampionatin direkt me ndeshje zyrtare pa zhvilluar asnjë ndeshje kontrolluese, për shkak se kanë pauzuar mbi dy muaj dhe nuk e di si e kanë menduar trajnerët, por do të kenë probleme shumë të mëdha në kampionat pasi edhe orari është i ngjeshur dhe do të ketë lëndime të futbollistëve", tregon Tahir Lushtaku.

Image

Tutje, Lushtaku sheh telashe te skuadrat kosovare të futbollit, por që uron që ky edicion të mbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme.

"Ndoshta disa skuadra do të kenë telashe të mëdha në të gjitha aspektet sepse stafi i mjekëve është i mangët dhe shpresoj të paktën të mos ketë lëndime, derisa mund të ketë telashe edhe në aspektin financiar te disa klube. Uroj që ky edicion të mbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme", përfundoi Lushtaku të dielën për "Zeri.info".

Sermaxhaj kërkon kujdes nga trajnerët në ndeshjet e para

Njohësi i zhvillimeve në futbollin kosovar dhe trajneri i Dritës U-19, Genc Sermaxhaj duke folur për çështjen në fjalë, sheh vështirësi të shumta.

Në ndeshjet miqësore, Sermaxhaj thotë se edhe futbollistët japin më të mirën për të rënë në sy te trajnerët, kështu që kjo sipas tij do të ishte "mundësia më e mirë për të parë formën e futbollistëve" para ndeshjeve zyrtare.

"Është e vështirë sepse skuadrën bazë, trajnerët duhet ta testojnë me futbollistë tjerë kundërshtarë. Në ndeshje kontrolluese, edhe futbollistët tentojnë të japin maksimumin për të rënë në sy te trajnerët dhe kështu ta zënë një vend në skuadrat e tyre. Pra, kjo është një mundësi më e mirë për të parë formën e futbollistëve dhe gjithë skuadrës para ndeshjeve zyrtare", tha Genc Sermaxhaj për "Zeri.info".

Image

Tutje, ai mendon se futja direkt në kampionat, nuk është "pasqyrë e mirë e skuadrës", teksa ai kërkon edhe kujdes nga trajnerët.

"Futja direkt në kampionat nuk është pasqyrë e mirë e skuadrës për t'u përballur me kundërshtarin, por ne tashmë i dimë rrethanat në të cilat gjendemi dhe skuadrave i është ndaluar të zhvillojnë ndeshje kontrolluese. Mbase në këto ndeshjet e para, trajnerët duhet të kenë kujdes dhe të përcjellin formën e futbollistëve", theksoi ish-futbollisti i mirënjohur kosovar. /Zeri.info