Federata e Basketbollit të Kosovës e hap zyrën e saj nesër

Federata e Basketbollit të Kosovës e hap zyrën e saj nesër

Sport May 31, 2020 - 17:25

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) do të fillojë me punën në zyrat e saj që nga dita e hënë (01.06.2020) me orar 08:00-16:00 dhe kjo pas lehtësimit të masave nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Në këtë fazë FBK-ja do të punojë me staf të përgjysmuar, ku një pjesë e anëtarëve të stafit do të punojnë nga zyra dhe një pjesë nga shtëpitë, si dhe kjo do të bëhet me rotacion ndërmjet anëtarëve të stafit, përderisa Sekretarja e Përgjithshme do të jetë çdo ditë të javës në punë në zyre, përcjell Zeri.info.

Palët që kanë punë në zyre të FBK-së duhet të jenë të pajisur me maska, si dhe nuk duhet të vijnë më shumë se dy persona njëherazi.

Të gjitha këto masa FBK është e detyruar t’i marrë për shkak të kujdesit për shëndetin e stafit të saj, por edhe të komunitetit të basketbollit në përgjithësi.

Duhet theksuar se FBK që nga data 16 mars kur edhe ka filluar me punën e stafit të zyrës nga shtëpia asnjëherë nuk është ndalur së punuari, pavarësisht anulimit të aktiviteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare.

Fokusi i FBK-së në këto dy muaj e gjysmë pandemie ka qenë në përgatitjet për edicionin e ri të basketbollit, përgatitjet për kriteret për licencim të trajnerëve, klubeve dhe shkollave, puna në hartimin e planit strategjik të FBK-së 2021-2025, përgatitjet për krijimin e ligës së përbashkët Kosovë-Shqipëri, Udhëzuesin për Organizimin e Final 8 Kupës së Kosovës, Udhëzuesin për Organizimin e Superkupës së Kosovës, Udhëzuesin për Rikthimin në Fushat e Basketbollit, e kështu me radhë.

Gjithashtu FBK-ja i ka qëndruar nga afër komunitetit të saj, duke i përditësuar me informatat më të reja sa i përket situatës në basketbollin vendor e më gjerë dhe duke qëndruar në kontakt të drejtpërdrejtë me ta. /Zeri.info