Pakënaqësi nga vendimet e fundit për formatin e ri të rikthimit të futsallit

Pakënaqësi nga vendimet e fundit për formatin e ri të rikthimit të futsallit

Sport May 29, 2020 - 23:41
Lajmet e fundit nga sporti

Komiteti Ekzekutiv në Federatën e Futbollit të Kosovës ka njoftuar klubet se garat në elitën e futbollit të sallës do të vazhdojnë me një “mini-play off".

Në bazë të renditjes tabelare të përcaktuar para fillimit të pandemisë, Liburni, Mabetex Prishtina, Prishtina 01 dhe Peja do të jenë pjesë e vazhdimit të garave, e cila më shumë i ngjason një formë turneu, pasi që gjysmëfinalet do të luhen me vetëm nga një ndeshje dhe do të zhvillohen në një terren neutral.

Ky vendim ka sjellur paknaqësi te klubet e futsallit, sidomos në skuadrën e Liburnit nga Gjakova dhe Mabetex Prishtina nga kryeqyteti.

“Vendimi i Komitetit Ekzekutiv është i papranueshëm për Klubin e Futsallit Liburni. Është jashtë çdo rregullore të vet FFK-së dhe UEFA-s. Ne gjithë kampionatin kemi luftuar të qëndrojmë në pozitën e parë për të fituar terren në ndeshjet e Play-Offit, ndërkohë tani për teket e disa klubeve gjërat kanë ndryshuar. Ne kemi dërguar ankesë në FFK-së dhe në rast të marrjes së një përgjigjje negative, këtë çështje do ta dërgojmë deri në CAS”, ka deklaruar Abaz Beqa, drejtues në Klubin e Futsallit Liburni.

Vendim jo të drejtë po e konsiderojnë edhe në klubin kryeqytetas Mabetex Prishtina. Fatos Dili.

“Pozita e vendit të parë dhe ajo e vendit të dytë nuk do ta ketë përparësinë e terrenit vendas që duhej ta kishin. Tashmë e gjithë gara e deritanishme ka rënë në uj dhe është njësoj sikurse vendi i parë, sikurse vendi i dytë, po ashtu edhe ai i tretë dhe i katërt. Klubet më të dëmtuara në këtë rast jemi ne dhe Liburni”, deklaroi Dili për RTK.

Sikurse Abazi, po ashtu edhe Dili besojnë se ky vendim i Komitetit Ekzekutiv do të ndikojë edhe në performancën e klubit që do ta dal këtë edicion në arenën ndërkombëtare.

Paknaqësi ka shfaqur edhe Klubi i Futsallit “Besa” që mbeti jashtë zonës së “Play Offit” për vetëm një pikë.