Vjen vendimi zyrtar, rikthehet Serie A

Vjen vendimi zyrtar, rikthehet Serie A

Sport May 29, 2020 - 12:23
Detajet

Tashmë është zyrtare. Ministri i Sportit të Italisë, Vincenzo Spadafora, ka zyrtarizuar të enjten mbrëma vendimin për rifillim të Serie A më 20 qershor.

Ai ka theksuar se ka mundësi që para rifillimit të edicionit të luhen ndeshjet gjysmëfinale të kupës, një javë më herët. Edhe Serie B pritet të rifillojë më 20 qershor.

Ministri për Sport i Italisë, Vincenzo Spadafora, ka dhënë leje për rifillim të Serie A, por do të pyesë kryeministrin Giuseppe Conte që rikthimi të bëhet më 13 qershor në vend të 20 qershorit.

Një videokonferencë, e mbajtur të enjten mbrëma, ishte vendimtare. Pjesë e saj ishin Spadafora, drejtues të Serie A, të shoqatës së lojtarëve, të federatës italiane dhe të mjekëve sportivë.

Serie A është pezulluar në mars për shkak të koronavirusit. Ndeshja e fundit është luajtur më 9 mars.

Kanë mbetur edhe katër ndeshje të xhiros së 25-të, që do të luhen të parat pas rikthimit, me shumë mundësi më 13 qershor.

Atalanta – Sassuolo, Inter – Sampdoria, Torino – Parma dhe Verona – Cagliari janë këto ndeshje. Skuadrat tjera më pas mund të vazhdojnë me ndeshje të xhiros së 27-të, prej 20 qershorit.

Para se kjo të ndodhë duhet të kryeministri Conte të nënshkruajë një dekret të veçantë për të ndryshuar dekretin e kaluar, që ndalon ngjarjet sportive deri më 14 qershor.

Të enjten është aprovuar edhe protokolli mjekësor, që është i ngjashëm me atë që ka lejuar kthimin e skuadrave në stërvitje me kontakt. Kjo nënkupton që nëse një anëtar i skuadrës ose i stafit testohet pozitiv për COVID-19, atëherë e gjithë skuadra duhet të mbetet në izolim për 14 ditë në qendrën stërvitore. Ata që dalin pozitivë do të futen në karantinë, ka njoftuar “Football-Italia”.

Klubet dhe mjekët kanë debatuar lidhur me periudhën e izolimit për gjithë grupin, duke kërkuar periudhë shtatëditore. Por ka shpresë se kjo mund të arrihet me përmirësimin e gjendjes. Tashmë në Itali janë më pak se 48 mijë raste aktive me COVID-19.