Nga refugjat në Gana, në yllin e Bayern Munichut: E kaluara e trishtë e mbrojtësit që po mahnit të gjithë

Nga refugjat në Gana, në yllin e Bayern Munichut: E kaluara e trishtë e mbrojtësit që po mahnit të gjithë

Sport May 28, 2020 - 23:57

Alfonso Dejvis i Bajernit të Mynihut është pa dyshim surpriza më e madhe në këtë sezon për kampionët e Gjermanisë dhe jo vetëm. Në krahun e majtë, kanadezi ka kryer në mënyrë perfekte detyrat e caktuara nga Hansi Flik, i cili tani e konsideron lojtarin të “paprekshëm” në formacionin e parë. I ardhur nga MLS-ja, Fonsi, siç e thërrasin në Mynih, është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm dhe më të dashur për tifozët e Bajernit. Drejtuesit bavarezë nuk humbën asnjë minutë dhe gjatë karantinës i ofruan atij rinovimin deri në 2025-ën.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem në një nga skuadrat më të mira në botë”, tha ai pasi hodhi firmën mbi kontratë. “Jam ndierë mirë që në ditën e parë që erdha në Mynih, klubi besoi tek unë dhe tani dua t’ia shpërblej këtë besim sa më shpejt të jetë e mundur”.

SHPEJTËSI DHE ZGJUARSI

Në 26 ndeshjet e fundit zyrtare, Dejvis nuk ka munguar asnjëherë në formacionin e parë. Pas një faze ambientimi, lojtari u bë një lojtar që dominonte në lojën e kampionëve. Merr pjesë gjithmonë në aksionet sulmuese duke asistuar 5 herë për shokët e skuadrës. Kjo jo vetëm në Bundesligë, por edhe në Champions, aty ku numëron 3 asiste. Por kanadezi di edhe të shënojë, edhe pse deri tani e ka gjetur vetëm 2 herë rrugën e rrjetës. Sigurisht që lojtari përfiton shumë nga shpejtësia e tij e lindur.

35.3 kilometra në orë është edhe shpejtësia më e madhe e tij, më i shpejtë se ai te bavarezët është vetëm Kingslei Koman që është regjistruar të vrapojë me shpejtësinë e 36 kilometrave në orë. Një driblues që ka kurajën të hyjë shpesh në driblime një për një, edhe pse kjo mund të kthehet në rrezik për skuadrën për vetë pozicionin që ka në fushën e lojës. 120 driblime të suksesshme deri tani, më shumë se kushdo tjetër në skuadrën e Bajernit.

E SHKUARA E TRISHTË

I lindur në një kamp refugjatësh në Gana, Dejvis emigron në Kanada në moshën 5-vjeçare. Aty ku gjen pasionin për topin magjik, i cili do t’ia ndryshonte jetën përgjithmonë. Skautët e Bajernit të Mynihut e spikatën 19-vjeçarin menjëherë, edhe pse në fillim vetëm me anë të videove në “Youtube”. Por Fonsi kishte më shumë se aq, shumë më shumë personalitet dhe klas.

Në kohën e karantinës shpeshherë shfaqej në videot e tij në “Instagram” i qeshur dhe karagjoz. E kundërta e asaj që është në fushën e lojës, një “Puma” i vërtetë. Kampionët e Gjermanisë kanë një diamant më shumë në gjirin e tyre, një lojtar që për shumë sezone të ardhshme do të jetë pa dyshim një nga anësorët e majtë më të kërkuar në botën e futbollit.