Klubi kosovar kërkon llogari nga Agim Ademi, Eroll Salihu dhe Komiteti Ekzekutiv: FFK po na anashkalon, edhe ne jemi pjesë e futbollit kosovar

Klubi kosovar kërkon llogari nga Agim Ademi, Eroll Salihu dhe Komiteti Ekzekutiv: FFK po na anashkalon, edhe ne jemi pjesë e futbollit kosovar

Sport May 27, 2020 - 16:45
Detajet

Klubi i futbollit të femrave, KFF Mitrovica, kampione në fuqi e Kosovës ka reaguar ashpër me vendimet e Federatës së Futbollit të Kosovës, shkruan “Zeri.info”.

Skuadra e cila e ka përfaqësuar futbollin e Kosovës edhe në arenën ndërkombëtare shprehet kundër vendimeve të krerëve të FFK-së, kryetarit Agim Ademi, Komitetit Ekzekutiv dhe sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihu.

Përmes një reagimi drejtuar FFK-së, KFF Mitrovica kërkon llogari nga shtëpia e futbollit kosovar.

“I nderuari kryetar, sekretar dhe anëtarë të KE-së, nuk janë anëtarë të FFK-së vetëm klubet e IPKO Superligës, por jemi edhe ne klubet e ligave të tjera. Ne kemi kërkuar ditë më parë rifillimin e kampionatit, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Federata. Tash që kanë filluar të lehtësohen masat, janë mundësitë edhe më të mëdha që të rifillojmë. Nuk ka më arsye që mos të rifillojmë garat edhe në ligat tjera. Liga e futbollit të femrave përfaqësohet edhe në arenën ndërkombëtare. I nderuari kryetar, sekretar dhe anëtarë të KE-së, ju lusim që mos ta anashkaloni sepse edhe ne jemi pjesë e FFK-së”, shkruhet ndër të tjera në reagim, përcjell “Zeri.info”.

Image

Ndryshe, FFK-së duket se nuk i ka bërë përshtypje kjo kërkesë pasi që së fundmi është vendosur që për ta përcaktuar kampionin në Ligën e Fermave, të luhet vetëm një ndeshje në mes KFF Mitrovicës dhe KFF Feronikelit.

Së fundmi, FFK i ka ndihmuar klubet e Superligës me nga 15 mijë euro për ta përballur pandeminë COVID-19, por jo edhe futbollin e femrave.

Për këtë ka reaguar edhe KFF Mitrovica duke thënë se nuk kanë merituar që të anashkalohen. /Zeri.info

Image