Zyrtare: Rikthehet futbolli në Maqedoninë e Veriut, federata maqedonase publikon detaje

Zyrtare: Rikthehet futbolli në Maqedoninë e Veriut, federata maqedonase publikon detaje

Sport May 26, 2020 - 16:25

Tashmë gjithçka është bërë e ditur, futbolli në Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë dhe edicioni 2019/20 nuk do të anulohet.

Këtë pasdite, Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se propozimi për vazhdimin e garave është pranuar, shkruan "Zeri.info".

"Do të luhet katër raundet e mbetura të ciklit të tretë dhe pastaj kalojmë në play-off me gjashtë skuadrat e para raundit të tretë. Tre skuadrat më të mira nga kjo fazë marrin pjesë në garat e Evropës", thuhet fillimisht në njoftimin e FFM-së.

"Katër skuadrat e fundit në tabelë pas ciklit të tretë, luajnë poashtu në play-off. Kupa e Maqedonisë së Veriut luhet me nga një gjysmëfinale. Fituesi i kësaj gara siguron një vend në garat evropiane të UEFA-s", thuhet më tej.

Vendimi i federatës maqedonase u mor pas konsultimeve me klubet, teksa gjashtë klube ishin pro fillimit të garave, kurse katër jo.

Në Maqedoninë e Veriut, edicioni u pezullua më 12 mars dhe drejtuesit e FFM-së pritet të vendosin nëse do të zgjerohet liga elitare me 12 skuadra për edicionin e ardhshëm. /Zëri.info