Superliga e femrave e lënë nën mëshirën e fatit

Superliga e femrave e lënë nën mëshirën e fatit

Sport May 25, 2020 - 22:43

Përderisa Superliga e Kosovës në kategorinë e meshkujve ka mësuar fatin e edicionit aktual, Superliga e femrave ende nuk ka marrë ndonjë përgjigjje. Trajneri i KFF Mitrovicës, Seidi Onbashi shpreson që të vazhdohen garat, derisa thotë se është i uritur për suksese

Image

Ministria e Shëndetësisë në koordinim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik kanë dhënë 'dritën jeshile' për vetëm skuadrat e Superligës së Kosovës të rikthehen në stërvitje, e nga fillimi i muajit qershor t'i vazhdojnë garat.

Megjithatë, në një plan të tillë nuk janë përfshirë rangjet tjera të futbollit kosovar, e madje as Superliga e futbollit në kategorinë e femrave, raporton "Zeri.info".

Image

Ashtu sikur klubet tjera të futbollit në Kosovë që ende nuk i kanë nisur stërvitjet në grup, edhe klubet e femrave janë duke shpresuar që garat të vazhdojnë dhe edicioni të mos mbyllet.

Gjatë ditës së sotme, Federata e Futbollit të Anglisë bëri me dije se e ka anuluar edicionin e Superligës së femrave, por në Kosovë shpresojnë për vazhdim të garave.

Trajneri i kampionit në fuqi të futbollit të femrave në Kosovë, KFF Mitrovica, Seidi Onbashi ka thënë se klubi mitrovicas është duke e pritur një vendim nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës.

"Jemi duke e pritur vendimin e Federatës nëse do të fillojë kampionati. Normalisht, situata do të jetë më e vështirë pas pushimit", nis bisedën Seidi Onbashi me "Zeri.info".

Onbashi: Nuk e di nëse i plotësojmë kushtet, jemi të uritur për punë

Trajneri i KFF Mitrovicës, Seidi Onbashi duke folur për fatin e edicionit aktual, ka treguar se kjo periudhë ka dalur të jetë mjaft e vështirë për skuadrën e tij pas këtij pauze.

"Do të jetë e vështirë pasi shumica e klubeve kemi pushuar. Ne si klub në fillim kemi pushuar, e më pas kemi punuar me një plan stërvitjes që ua kemi dërguar futbollisteve, por nuk është e njejtë sikur puna në grupe", tregon Onbashi.

Image

Tutje, ai thotë se pandemia me koronavirus e ka lodhur mjaft shumë.

"Sa i përket kushteve nëpër klube, nuk e di nëse i plotësojmë. Është një periudhë e vështirë për futbollin e femrave duke marrë parasysh kohën e pushimit. Kjo pandemi na ka lodhur të gjithëve dhe të gjithë jemi të uritur për punë dhe suksese të reja", përfundoi Seidi Onbashi të hënën për "Zeri.info".

"Sado që mund të ketë kushte, nuk ka popullaritet"

Gazetarja e mirënjohur kosovare, Qëndresa Krelani e njohur si "Qeqa" e ka komentuar fatin e edicionit aktual në futbollin e femrave në Kosovë.

"Qeqa" në një bisedë me "Zeri.info" ka thënë se futbolli i femrave nuk është i popullarizuar, andaj mungojnë investimet.

Image

"Sado që mund të ketë kushte, nuk ka popullaritet. E dijmë që një dukuri e tillë është e theksuar edhe në shtetet më të zhvilluara e lëre më në vendin tonë. Zakonisht në një sport ku ka vëmendje, investimet janë më të mëdha. Përderisa futbolli i femrave nuk është i popullarizuar, nuk do të jetë asnjëherë mirë me kushte financiare", u shpreh 'Qeqa'. /Zeri.info