Feronikeli nuk u frikësohet as kundërshtarëve e as pandemisë COVID-19, Afrim Tovërlani konfirmon se lojtarët nuk janë paguar tash e tre muaj

Feronikeli nuk u frikësohet as kundërshtarëve e as pandemisë COVID-19, Afrim Tovërlani konfirmon se lojtarët nuk janë paguar tash e tre muaj

Sport May 25, 2020 - 15:42
Detajet

Kampioni në fuqi i Kosovës, skuadra e Feronikelit, tash e disa ditë i ka nisur përgatitjet për vazhdimin e edicionit në futbollin kosovar.

Zeri.info e ka realizuar një kronikë nga përgatitjet e skuadrës nga Drenasi ndërkohë që trajneri Afrim Tovërlani foli për ecurinë e fazës përgatitore në këto ditë kur Kosova po e kalon pandeminë COVID-19.

“Jemi munduar që gjatë pandemisë të punojmë në mënyrë individuale. Shumica e lojtarëve kanë punuar shumë mirë dhe janë treguar të sinqertë. Për fillim nuk është keq”, theksoi Afrim Tovërlani për “Zeri.info”.

Tutje, trajneri i suksesshëm në futbollin e Kosovës foli edhe për mungesën e pagave në skuadrës.

“Ka tre muaj që lojtarët nuk janë paguar. Në momentin që janë mbyllur kufijtë, kryetari i klubit Naser Ramaj është gjendur në Mal të Zi dhe ka premtuar se posa të hapen kufijtë, do të vijë në Kosovë dhe nuk do t’i mbetet borxh askujt”, ka thënë ndër të tjera Afrim Tovërlani.

Image

Feronikeli në këtë edicion ka ngecur prapa sa i përket titullit kampion. “Nikli” ndodhet në pozitën e pestë me 34 pikë të mbledhura, dhjetë më pak se lideri Ballkani.

Synimi kryesor i skuadrës nga “Rexhep Rexhepi” mbetet Kupa e Kosovës ku më pas synohet dalja në Evropë.

Në fazën gjysmëfinale, skuadra “gjelbëremi” do të përballet me Ballkanin. /Zeri.info