Rrëfehet Kujtim Shala: Sukseset e Përfaqësueses së Kosovës nuk janë produkt i FFK-së, por i futbollistëve të diasporës

Rrëfehet Kujtim Shala: Sukseset e Përfaqësueses së Kosovës nuk janë produkt i FFK-së, por i futbollistëve të diasporës

Sport May 25, 2020 - 15:00
Detajet

Kujtim Shala është një ndër emrat që i ka bërë krenarë të gjithë shqiptarët në vitet e '80-ta dhe të '90-ta.

Ish-futbollisti i njohur nga Prizreni, i cili ka luajtur në disa kampione evropiane, është rrëfyer në një intervistë për "Zeri.info".

Shala, që për një kohë ka punuar si trajner edhe në FC Prishtina, në vitet 2005-2006, thotë se momentalisht po merret me menaxhimin e futbollistëve të rinj.

“Momentalisht po merrem me menaxhimin e futbollistëve të rinj. Jam gjithashtu duke u marrë edhe me djalin tim Romanin, i cili është 11-vjeçar”, nis bisedën për "Zeri.info" Kujtim Shala.

Image

Me futboll merret edhe djali i tij i madh, Andisi i cili me sukses luan te skuadra gjermane Waldhof Mannheim.

Kujtimi e ka pasur karrierë të bujshme. Futbollin e ka nisur te Liria e Prizrenit dhe pastaj shkoi në Partizan të Beogradit (1983-1984), ndërsa në vitin 1984 iu bashkua gjeneratës së artë të Prishtinës.

Është i vetmi futbollist i gjeneratës së artë të Prishtinës, kur kishte shënuar pesë gola në një ndeshje dhe atë në vitin 1988 kundër Sarajevës në fitoren 5:2 në kuadër të Ligës së Parë të ish Jugosllavisë.

Nga Prishtina shtegtoi në Dinamo të Zagrebit, ku “eksplodoi” si sulmues dhe u bë idhull i tifozëve dinamovit (BBB). Pastaj vazhdoi karrierën në Gjermani e në Francë.

Image

Shala jeton dhe vepron në Gjermani, ndër të tjera deklaron se nuk është kontaktuar asnjëherë nga Federata e Futbollit të Kosovës për mundësinë e dhënies së ndonjë kontributi.

“Asnjëherë nuk jam kontaktuar dhe nuk e di se pse. Kujtim Shalën e njeh e gjithë Evropa dhe emri im nuk ka nevojë për senzibilizim”, theksoi Shala.

“Nuk e di se si funksionon Federata e Kosovës. Nuk e njoh Agim Ademin (kryetar i FFK-së) dhe nuk mund të flas për ta”, theksoi prizrenasi.

Për fund, Shala e komentoi edhe ecurinë e Përfaqësueses së Kosovës në futrboll.

“Të gjithë jemi krenar me ecurinë dhe rezultatet e Kosovës e cila i ka tejkaluar pritshmëritë dhe e bëri krenar të gjithë kombin shqiptar. Rezultatet vijnë si produkt i djemve që kemi në diasporë dhe luajnë në klube të njohura. Këta futbollistë meritojnë komplimente dhe lutem që të vazhdojnë me sukses. Këto suksese janë të djemve dhe jo të Federatës, pasi ata arritën kulmin në klubet evropiane”, përfundoi Kujtim Shala.

Image

Ndryshe, Shala ka luajtur edhe në ndeshjen e parë të Kombëtares së Kroacisë (ndeshje revyale) në vitin 1990 kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Zeri.info