Ana tjetër e Marash Kumbullës: Studioj për administrim dhe marketing, nuk jam i fiksuar pas shpenzimeve

Ana tjetër e Marash Kumbullës: Studioj për administrim dhe marketing, nuk jam i fiksuar pas shpenzimeve

Sport May 25, 2020 - 11:38
Lajmet e fundit nga sporti

Është në qendër të të gjitha ekipeve evropiane. Marash Kumbulla, vetëm 20 vjeç, po shkëlqen në sezonin debutues në Serinë A me Hellas Veronën, teksa ka gjetur edhe rrugën e një goli.

Në një deklaratë të dhënë së fundmi për “Sport Week” ai ka treguar mbrojtësit, nga të cilët frymëzohet, për zgjedhjen për Shqipërinë dhe për aventurën aktuale me ekipin e Veronës, transmeton "Panorama Sport". 

Kombëtarja – “Kam zgjedhur që të luaj me Kombëtaren shqiptare sepse e gjithë familja ime është shqiptare. Edhe unë ndihem shqiptar. Mentalitet të ndryshëm shqiptarët? Është çështje stimujsh: Në përgjithësi vijnë nga situata më të vështira në
krahasim me ato ku rriten fëmijët italianë dhe për të dalë prej saj nevojitet uri dhe një dëshirë e veçantë”. 

Karantina – “Pandemia më mësoi të mjaftohem me gjërat e vogla. Pata mundësi që të kaloj më shumë kohë me familjen dhe kam mësuar të bëj rizoto. Jam kënaqur me gjithçka, edhe pse më mungonte përditshmëria, Greta (e fejuara) dhe stërvitjet”.

Serioz – “Ndihem ende pak fëmijë, në sensin që më pëlqen të luaj. Kam ende teka për ‘Play Station’: Luaj edhe kur Greta do vëmendje dhe me të drejtë inatoset”.

NISJA – “Në moshën 4-vjeçare, babai më regjistroi në shkollën e futbollit në Peskiera. Donte të më përcillte pasionin e tij. Duhet thënë se shkoi mirë (qesh…). Edhe vetë isha i lumtur që shkoja në stërvitje. Më pëlqen akoma pasi për mua stërvitja është gjithçka. Verona? Mendoj se çdo futbollist i ri ëndërron të luajë për ekipin e qytetit. Pasi bëra disa prova te Hellas, më morën”.

TË ardhurat – “Me pagën e parë si futbollist qerasa familjen time me një darkë. Nuk jam i fiksuar pas shpenzimeve, por i plotësoj vetes disa veshje ose lojëra”.

Studimet – “Futbolli nuk më pengoi për studimet. Jam në vitin e fundit të shkollës për administrim, financë dhe marketing. Shkolla më ndihmon dhe më ka dhënë mundësinë të studioj nga shtëpia. Edhe para bllokimit nga pandemia”.