Federata shqiptare bën hapin e radhës për krizën financiare te klubeve

Federata shqiptare bën hapin e radhës për krizën financiare te klubeve

Sport April 08, 2020 - 15:24
Lajmet e fundit nga sporti

Duke qenë se qeveria shqiptare nuk e përfshiu sportin në paketën e kompensimit të dëmeve prej pandemisë së koronavirusit, tashmë është FSHF që kërkon t’i dalë për zot situatës me synimin për të mbajtur gjallë skuadrat, duke iu dhënë një dorë pas rikthimit të normalitetit.

“FSHF ka një buxhet vjetor më të vogël se fondi i pagave për këtë situatë, por me ato mundësi financiare që ka, edhe borxhe do të marrë dhe s’do t’i lërë anëtarët e vetë në rrugë”, ka thënë vetë Duka ekskluzivisht për “Panoramasport.al” pak ditë më parë. Mësohet se një grup pune në Federatë ka nisur menjëherë të bëjë llogaritë për fondin që duhet për të mbuluar maksimalisht dy muaj rroga ose minimalisht një pagë. Hapi i parë ka qenë kërkesa ndaj klubeve për t’u njohur më konkretisht me borderotë e tyre.

Nuk janë vetëm lojtarët dhe stafet teknike pjesë e “paketës” së FSHF-së, por edhe punonjësit e tjerë të klubeve, trajnerët e ekipeve zinxhir në akademi etj. “Kostoja shkon mbi një milionë euro. Këtu bëhet fjalë për rrogën bazë, pra atë që klubet deklarojnë në Tatime dhe merret përmes bankës”, thotë për gazetën një burim në FSHF. Nga llogaritë që janë bërë, mësohet se çdo lojtar i klubeve të Superiores do të marrë maksimalisht 400 mijë lekë të vjetër për një muaj. Kjo situatë tregon edhe një herë problemin e deklarimeve dhe pagesat në të zezë që bëjnë klubet.

Natyrisht, nuk mund të futen të gjitha në një “thes”, pasi ka edhe klube si Vllaznia që e deklarojnë 100 % rrogën e lojtarëve dhe punonjësve të klubit. Në ditët e ardhshme pritet që vetë FSHF të japë detaje rreth shpërndarjes së asaj që mund të quhet minimumi jetik për futbollin shqiptar. Në këto tre javë të shumtë kanë qenë reagimet nga presidentët e klubeve në Kategorinë Superiore, duke paralajmëruar madje falimentin, por qeveria nuk ka dhënë asnjë garanci për të ndihmuar sportin në këtë moment.