Anulimi i kampionatit evropian, sekretarja e Federatës: Vendim zhgënjyes, por i pritur

Anulimi i kampionatit evropian, sekretarja e Federatës: Vendim zhgënjyes, por i pritur

Sport April 08, 2020 - 14:07

Federata Evropiane e Basketbollit (FIBA) tashmë ka marrë vendim për anulimin e kampionateve evropiane për gjenerata të reja.

Sekretarja e Federatës së basketbollit të Kosovës, ka thënë se është një vendim i pritur pavarësisht se është zhgënjyes. Sipas saj në këtë kohë pandemie shëndeti është mbi të gjitha, kështu që këto vendime edhe duhet respektuar, shkruan Zëri.info.

Image

"Ka qenë një vendim i pritur, pavarësisht që është zhgënjyes. Megjithatë, shëndeti dhe mirëqenia e lojtarëve, trajnerëve, zyrtarëve e tifozëve, është gjithmonë prioritet. Ndërkaq sa i përket Përfaqësueseve të Reja të Kosovës të cilat ne kishim planifikuar t’i dërgojmë në këtë verë në FIBA Kampionate Evropiane, unë shpresoj se ne do të mund të bëjmë diçka për këto gjenerata gjatë këtij viti. Do të analizojmë këtë situatë të re të krijuar, së bashku me Bordin e FBK-së, Drejtorin e Përfaqësueseve të Kosovës dhe Këshillin Profesional dhe më pas do të shohim se çfarë do të mund të bëjmë.

Krahas pjesëmarrjes në FIBA Kampionate Evropiane, Federata e Basketbollit e Kosovës ka qenë edhe organizatore e FIBA U16 Kampionatit Evropian, Divizioni C në Prishtinë prej 11 deri më 19 korrik 2020 dhe ne tashmë i kemi kryer të gjitha punët teknike në koordinim me zyrtarët e FIBA Evropës. Pavarësisht pandemisë COVID-19 ne kemi vazhduar me punët intensive rreth përgatitjeve për këtë event.

Sidoqoftë, tani na mbetet që në bashkëpunim me Bordin e FBK-së dhe FIBA Evropën, si dhe institucionet në vendin tonë të punojmë në atë drejtim, që të vazhdojmë me përgatitjet për vitin e ardhshëm”, ka thënë Elvira Dushku. /Zëri.info