Hashani: Ulja e pagave në futbollin kosovar nuk duhet të merret si tragjike

Hashani: Ulja e pagave në futbollin kosovar nuk duhet të merret si tragjike

Sport April 08, 2020 - 13:55

Pandemia COVID-19, e njohur ndryshe si koronavirus, është duke shkaktuar pasoja të mëdha financiare te klubet e mëdha evropiane, por gjithashtu edhe në Kosovë, në një vend i cili është pranuar qe pak vite në FIFA dhe në UEFA.

Në pesë kampionatet më të mëdha në Evropë, si në Itali, Gjermani, Francë, Angli dhe Spanjë, në disa klube janë ulur pagat, derisa në të tjerat veçse po diskutohet një gjë e tillë, shkruan Zëri.info.

Në Kosovë, ku edhe para pandemisë, klubet kosovare kanë pasur probleme financiare, një gjë e tillë duket vetëm se është rritur në këtë periudhë, kur bizneset të cilat kanë sponsorizuar klubet, kanë pezulluar aktivitetin e tyre.

Deri më tani, në asnjë klub kosovar nuk është vendosur që pagat e futbollistëve të ulen, megjithatë është përfolur shumë se kjo gjë mund të ndodhë në vazhdim.

Analisti i futbollit vendor, ish-futbollisti i mirënjohur dhe trajneri kosovar, Erdin Hashani e ka komentuar situatën në fjalë duke thënë fillimisht se Kosova qëndron më dobët ekonomikisht se sa shtetet tjera.

"Së pari në aspektin ekonomik, Kosova qëndron më dobët se sa shtetet tjera, dhe kjo gjendje do të ndikojë edhe në sportin kosovar. Redukimi i sponsorave dhe remitencat do të jenë ato që do të reflektojnë në sponsorizimin e sportit", u shpreh fillimisht Hashani për Zëri.info.

Tutje, ai ka folur edhe për mjetet e ndara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke thënë se do të jetë një ndihmë e vogël, por që do të mbajë moralin e sportistëve për të vazhduar punën tutje.

"Fondi i ndarë nga MKRS-ja do të jetë një ndihmë e vogël, e cila do të mbajë moralin e sportistëve për të vazhduar punën më tutje. Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se bota sot nuk është e njejtë me atë që ka qenë para dy muajsh", tregon më tej ish-futbollisti i shumë skuadrave kosovare.

Për fund, Hashani mendon se nëse ka ulje të pagave te klubet kosovare, atëherë futbollistët nuk duhet ta cilësojnë këtë situatë si tragjike.

"Nëse ke ulje të pagave te futbollistët, nuk duhet të merret si tragjike, por duhet të mundohemi që të gjithë së bashku të mendojmë se si të dalim nga kjo situatë", përfundoi Hashani./Zëri.info