FFK-ja e shfrytëzon pushimin e garave për të mirë, testohet stadiumi 'Fadil Vokrri', i gatshëm për ndeshjet e Kosovës

FFK-ja e shfrytëzon pushimin e garave për të mirë, testohet stadiumi 'Fadil Vokrri', i gatshëm për ndeshjet e Kosovës

Sport April 08, 2020 - 08:33

Edhe pse aktualisht është i pezulluar i gjithë aktiviteti garues në futboll në Kosovë si pasojë e pandemisë COVID-19, i njohur si koronavirus, megjithatë nuk janë ndalur punët sa i përket përmirësimit të kushteve në stadiumet e futbollit, me theks të veçantë në stadiumin “Fadil Vokrri”, aty ku në shtator na presin emocione tjera nga Përfaqësuesja e Kosovës. 

Në fakt, pas rikuperimit të fushës së gjelbër dhe renovimit dhe dizenfektimit të ambienteve të brendshme të stadiumit, mbrëmë është bërë edhe testimi i reflektorëve dhe gjithçka është në rregull dhe kjo arenë është plotësisht e gatshme për ndeshjet e Përfaqësueses A. 

Duke qenë se tani jemi në pushimin e detyruar të garave, Federata e Futbollit e Kosovës është duke punuar pareshtur në të gjitha segmentet që të jetë sa më e gatshme për tri ndeshjet e Ligës së Kombeve që do t’i ketë në shtator, derisa pa dyshim mirëmbajtja e infrastrukturës së stadiumit është prioritet, raporton Zëri.info.

Image

Me këtë rast FFK-ja ka falënderuar stafin e stadiumit, të cilët edhe në këto rrethana të pandemisë kanë punuar me përkushtim maksimal dhe si rrjedhojë kanë arritur që fushën e këtij impianti ta kthejnë në gjendje të shkëlqyeshme.

Lajmin e ka konfirmuar edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili në një bisedë me Zëri.info, ka bërë me dije se gjithçka është në rregull me stadiumin në fjalë.

"Fatkeqësisht që janë ndërprerë garat për shkak të COVID-19, por këtë kohë e kemi shfrytëzuar për të rregulluar fushat e stadiumeve, për çka i falënderoj mirëmbajtësit e stadiumeve për punën emirë", ka thënë Agim Ademi për Zëri.info.

"Ne kemi punuar maksimalisht që të jemi sa më gati për ndeshjet e Ligës së Kombeve, ku në shtator i zhvillojmë tri ndeshje", tregon më tej i pari i futbollit kosovar.

Ndryshe, Kosova do të përballet me Slloveninë, Greqinë dhe Moldavinë në kuadër të ciklit të grupeve në Ligën e Kombeve./Zëri.info

Image