Presidenti i FFK-së, Agim Ademi vizitoi stadiumin “Fadil Vokrri” , vëzhgon punën që po bëhet aty

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi vizitoi stadiumin “Fadil Vokrri” , vëzhgon punën që po bëhet aty

Sport April 04, 2020 - 14:42

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi gjatë ditës së sotme ka vizituar stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, aty ku i gjithë kombi përjetoi çaste lavdie e krenarie gjatë dy viteve të fundit nga djelmoshat tanë dardanë.

Përgjegjësi i stadiumit Benet Rezniqi e njoftoi presidentin Ademi për punët që janë bërë gjatë periudhës prej se janë ndalur aktivitetet sportive në vend për shkak të Coronavirusit Covid-19.

Në fakt, punëtorët e stadiumit nuk i kanë ndërprerë për asnjë ditë punimet në fushë, duke u kujdesur që ta bëjnë rikuperimin dhe mirëmbajtjen e saj. Gjatë kësaj faze është rimbjellë një sasi e konsiderueshme e barit, derisa me udhëzimet e ekspertëve të kësaj fushe është bërë edhe hedhja e rërës dhe preparateve tjera të nevojshme në fushën e gjelbër. Ndërkohë, brenda objektit është bërë pastrimi dhe dezinfektimi i të gjitha ambienteve. Kësisoj, stadiumi ‘Fadil Vokrri’ do të jetë plotësisht i gatshëm dhe në nivelin më të mirë për ndeshjet e Kombëtares në muajt e vjeshtës së ardhshme.

Image

Ndërkohë, edhe stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë, i cili i takon kategorisë së dytë dhe ky mund të zhvillohen ndeshjet e klubeve tona në arenën evropiane, si dhe ekipet e kombëtareve të kategorive të reja dhe të femrave është mirëmbajtur dhe aktualisht është në gjendje të mirë, ndonëse MKRS e ka shpallur dhe e ka përfunduar tenderin për rinovimin e tërësishëm të tij me qëllim të ngritjes në nivelin e kategorisë së 4-të të UEFA-s, që do të ishte stadium alternativ për ekipin Kombëtar. Ndonëse nuk dihet se kur do të fillojë rinovimi i këtij stadiumi, duke pasur parasysh se kjo është çështje e MKRS-së, FFK e sheh si mundësi që ta kërkojë rilicencimin e këtij stadiumi nga Komisioni i UEFA-s, në mënyrë që ai të shfrytëzohet për ndeshjet parakualifikuese për Ligën e Kampionëve, ku me shumë mundësi FFK prapë do të jetë organizatore e ndeshjeve të grupit.

Image

Gjithsesi në javët në vazhdim pas kalimit të situatës së pandemisë do të shqyrtohen mundësitë nëse do të kërkohet rilicencimi nga UEFA apo do të fillojë realizimi i projektit të MKRS-së për rinovimin e tërësishëm.

Image