Trajneri legjendar Ajet Shosholli flet për të ardhmen e kampionatit, përmend Play-offin dhe formën e turneut

Trajneri legjendar Ajet Shosholli flet për të ardhmen e kampionatit, përmend Play-offin dhe formën e turneut

Sport April 04, 2020 - 13:39
Njëri nga trajnerët më të suksesshëm në futbollin kosovar Ajet Shosholli në një bisedë për Zëri.info, ka thënë se nuk është idhtar që fituesit të përcaktohen në tavolinë, derisa ka përmendur edhe mundësin e zhvillimit të ndeshjeve përmes “Play-offit”, “Play-outit” ose edhe në formë turneu

 

Ejup Llumnica

Koronavirusi vazhdon të paralizojë botën duke mos dhënë shenja se kur mund të kalohet kjo pandemi. Futbolli tashmë është mbetur në plan të dytë, por njerëzit që merren me këtë sport dhe organizimin e tij kanë nisur të japin mendimet nëse duhet vazhduar apo anuluar në tersi ky edicion.

Belgjika ditëm më parë vendosi ta anuloi kampionatin e tij duke ia dhënë titullin e kampionit Club Brugge, derisa një gjë e tillë mund të ndodhë edhe në vende tjera.

Megjithatë, UEFA nuk duket idhnare e anulimit të kampionatit. Ajo në mbledhjen e fundit të UEFA-s përmes një video konference me 55 anëtarët e saja, mori vendim që në muaji prill dhe maj të mos ketë ndeshje futbolli, duke lënë kështu që kampionati mundësisht të luhet në qershor dhe korrik por edhe kjo nuk është e sigurt, shkruan Zëri.info.Image

Në Kosovë ende nuk ka një vendim të saktë nëse duhet apo të vazhdojë kampionati, kjo varësisht zhvillimit të pandemisë. Njëri nga trajnerët më të suksesshëm në futbollin kosovar Ajet Shosholli në një bisedë për Zëri.info, ka thënë se nuk është idhtar që fituesit të përcaktohen në tavolinë, derisa ka përmendur edhe mundësin e zhvillimit të ndeshjeve përmes “Play-offit”, “Play-outit” ose edhe në formë turneu.

“Jemi dëshmitarë të një bllokade pothuajse totale në tërë botën në të gjitha lëmit, pra edhe i futbollit. Nuk kemi ndonjë orientim se kur realisht do të krijohen kushtet për vazhdimin e kampionateve në të gjitha shtetet. Dhe sigurisht që të gjitha Federatat e shteteve do të kërkojnë modele për mbarimin e kampionateve të tyre”, ka thënë Shosholli, duke folur për kampionatin e Kosovës.

“Sa i takon kampionatit tonë të Superligës, dihet që ka mbetur të zhvillohet edhe rrethi i tretë i kampionatit, apo saktësisht edhe 11 xhiro. Mendoj që FFK-ja do të gjejë mënyrën e përmbylljës së kampionatit, ashtu si do të diktojnë kushtet që do të krijohen për përmbyllje, qoftë përmes zhvillimit të te gjitha xhirove të mbetura e që si duket do të jetë shumë e vështirë”, vlerësoi tekniku mitrovicas duke dhënë më pas disa mundësi tjera për vazhdimin e garave.Image

“Sigurisht që ka solucione të tjera, si për shembull, forma e play-offit dhe play-out e që do të thotë në play-off të luhet për dy vendet e para ndërsa për play-out për luftë për mbijetesë, edhe pse dorën në zemër te lufta për mbijetesë kemi dy ekipe të cilat kanë ngecë shumë në pikë. Përveç kësaj është edhe një solucioni tjetër mund të jetë,vazhdimi i garave në formë turneu, ku prapë do të garohet për dy vendet e para dhe për mbetje në Ligë. Mendoj që do të varet shumë nga koha që do të jetë në dispozicion për mbarimin e kampionatit”, tha Shosholli duke shtuar:

“Përndryshe pasi që ka edhe plot 11 xhiro të kampionatit, përmbyllja e kampionatit me këtë renditje momentale sa do të ishte reale që të vije në shprehje cilësia e çdo ekipi me renditje reale në fund të kampionatit. Edhe pse nuk e dinë askush se si do të diktojë situata e ardhshme për përmbylljen e kampionatit”, ka përfunduar Ajet Shosholli. /Zëri.info

Image